"Mashtrimet" me te medha mediatike
Një gazetë dhe një televizion, ndër më të njohurit
e Amerikës, e kanë parë veten në një situatë
shumë të vështirë në vitin 1992, kur kanë publikuar
një histori të marrë nga revista e njohur "Forbes"
Ngjarja në vetvete ishte sigurisht
diçka e madhe,
pasi thoshte se Rusia do
të nxirrte në ankand trupin
e balsamosur të Vladimir
Leninit, për shkak të problemeve
të rënda ekonomike që po
kalonte vendi. Ankandi do të fillonte
me një çmim prej 15 milionë
dollarësh. Por kishte vetëm një
problem: revista "Forbes" kishte
bërë shaka dhe ngjarja s‘ishte aspak
e vërtetë. Sigurisht që "USA
Today" dhe "ABC News" nuk e
pritën dhe aq mirë sensin e humorit
të revistës së biznesit.
Akoma më pak mirë e priti Ministria
e Jashtme e Rusisë, e cila
e kritikoi veprimin e revistës "Forbes".
Kjo është një ndër "mashtrimet"
më të mëdha mediatike,
të cilat synojnë të krijojnë një atmosferë
humori, që herë arrihet
e herë jo. Një tjetër "mashtrim"
të këtij lloji ka publikuar
edhe gazeta kineze, "The Bejing
Evening News", pa e ditur se po
mashtrohej dhe vetë.
Revista kineze kishte marrë një
ngjarje për kongresin amerikan
nga revista humoristike amerikane
"Onion" dhe e kishte përkthyer
fjalë për fjalë, pa e ditur se
bëhej fjalë për satirë. Gjithashtu,
një tjetër ngjarje e këtij lloji ka
ndodhur në Kinë, kur një televizion
lokal kinez ka paralajmëruar
banorët që të kenë kujdes nga bisha
e Sibuxiangut. Njerëzit i ka
zënë paniku dhe kanë filluar të
fortifikojnë shtëpitë për të zbuluar
se bisha nuk ishte kafshë,
por një pije e re që do të dilte së
shpejti në treg.
1. "Forbes", Rusia shet
trupin e Leninit
Në nëntor të vitit 1991, revista
amerikane "Forbes" publikoi një
artikull në të cilin shkruante se
situata ekonomike në Rusi ishte
e pashpresë. Pikërisht për këtë
arsye, sipas "Forbes", qeveria ruse,
e dëshpëruar për valutë të huaj,
kishte vendosur që të shiste trupin
e balsamosur të Vladimir Leninit,
për atë që do të jepte ofertën
më të lartë. Trupi ekspozohej
prej dekadash për publikun në
një mauzole në "Sheshin e Kuq".
Sipas revistës, rusët do ta nisnin
ankandin nga çmimi 15 milionë
dollarë. "ABC News" dhe "USA
Today" e pasqyruan ngjarjen për
të keqen e tyre, sepse kryeredaktori
i "Forbes" bëri të ditur se bëhej
fjalë për një rreng.
2. "BBC", shfaqje
fantazmash (Ghostwatch)
Më 31 tetor 1992, kanali i njohur
televiziv "BBC" në Britani
shfaqi një dokumentar 90 minuta
për fantazmat. Programi reklamohej
si një hetim "live" mbi aktivitetet
paranormale. "Show"
prezantohej nga një grup reporterësh
të mirënjohur televizivë:
Michael Parkinson, Sarah Greene,
Mike Smith and Craig Charles.
Ata raportonin për ngjarjet që
zhvilloheshin në një shtëpi, ku
ndodheshin njerëz që dëshmonin
se banesa ishte e pushtuar
nga fantazmat. Kamera lëvizte
dhe aty dëgjoheshin zhurma misterioze.
Njerëzit që po e ndiqnin
u shtangën, por rezultoi se ishte
Craig Charles ai që po i punonte
një rreng gjithë stafit të tij.
3. Peshkim majmunësh
Jay Forman shkruante për revistën
elektronike "Slate.com".
Një ditë, artikulli i tij i zakonshëm,
më 8 qershor 2001,
ishte më i çuditshmi që ishte
shfaqur ndonjëherë. Ai përshkruante
pjesëmarrjen e tij në një
sport ekstrem të peshkimit të
majmunëve. Dhe, nuk bëhej fjalë
për ndonjë lloj metafore, ai e
kishte fjalën saktësisht për peshkim
majmunësh. Sipas tij, ngjarja
kishte ndodhur në vitin 1996, në
një ishull. Por sapo artikulli u publikua,
u përball me kritika të panumërta.
"The Wall Street Journal" nuk
besoi asnjë fjalë të artikullit. Pas
kritikave të shumta, kryeredaktori
i revistës u detyrua të kërkonte
një falje publike, duke u
shprehur se ngjarja s‘ishte e vërtetë.
4. "Beijing Evening News",
Kubeja portative e
Kongresit Amerikan
Më 3 qershor 2002, gazeta kineze
"The Beijing Evening News"
i konkurroi gazetat rivale me një
shkrim të bujshëm nga Amerika:
Kongresi amerikan kërcënonte
të largohej nga Uashington D.C.,
nëse qyteti nuk ndërtonte një
ndërtesë të re që të kishte një
kube të palosshme, pra portative.
Artikulli i bëri përshtypje Henry
Chu-së, një reporter i "Los Angeles
Times" në Pekin, për faktin se
gazetat amerikane s‘po e mbulonin
një ngjarje të tillë. Ai vendosi
të verifikonte ngjarjen dhe
zbuloi se burimi i këtij shkrimi
ishte "Onion" (Qepa), një revistë
humoristike e njohur nga publiku
amerikan për satirë. Gazeta kineze
e kishte përkthyer shkrimin
fjalë për fjalë, pa e kuptuar se bëhej
fjalë për humor.
5. "Microsoft" blen kishën
katolike
Në vitin 1994, në internet filloi
të qarkullonte një deklaratë
shtypi që thoshte se "Microsoft"
kishte blerë kishën katolike. Deklarata
e shtypit theksonte se kjo
ishte "hera e parë që një kompani
kompjuterësh ka blerë një
fe të madhe botërore". Deklarata
citonte bosin e atëhershëm të
"Microsoft", Bill Gates, që thoshte
se ai kishte parashikuar se besimi
fetar do ishte një treg në rritje dhe
se "burimet e kombinuara të ‘Microsoft‘
dhe kishës katolike do
na lejojnë ta bëjmë besimin fetar
më të lehtë dhe më zbavitës
për një gamë më të madhe njerëzish".
"Microsoft" doli me një
deklaratë shtypi që mohonte vërtetësinë
e synimeve të tilla.
6. Bisha e Sibuxiangut
Më 19 shtator 1994, një paralajmërim
i tmerrshëm u përsërit
disa herë në një transmetim televiziv
në Taiuan, një qytet në veri
të Kinës. Mesazhi shfaqej në
ekran dhe paralajmëronte njerëzit
se bisha e tmerrshme e Sibuxiangut,
kafshimi i të cilës ishte
fatal, po i drejtohej qytetit. Banorët
e qytetit u mbërthyen nga
paniku dhe vendosën barrikada
para dyerve të shtëpive. Të tjerët
u telefonuan autoriteteve lokale
për të marrë vesh se çfarë po
ndodhte.
Siç rezultoi më vonë, bisha e
Sibuxiangut ishte reale, por nuk
ishte kafshë. Ishte një lloj i ri likeri
dhe mesazhi i shfaqur në televizor
kishte qenë thjesht reklamë.
Autoritetet kineze e gjobitën
krijuesin e reklamës me 590
dollarë për shkak se kishte krijuar
panik në publik.
Faqja 2
BE, ÇMIMI I DRITHERAVE, PENG I MOTIT DHE TREGUT
Evropa parashikon rritje të madhe në prodhimin e drithërave këtë verë, por shtimi i shitjeve mund të mos i prekë çmimet, ngaqë kërkesa botërore e lartë, rezervat e ulëta dhe entuziazmi afatgjatë i investitorëve për këto artikuj i mban tregjet në lëvizje.
Shumica e çmimeve të drithërave u rritën më shumë se dy herë vitin e kaluar dhe tani nuk janë shumë larg shifrës rekord të arritur në shtator, pavarësisht nevojës për sasi më të mëdha në muajt e ardhshëm.
Në raportin më të fundit, qendra studimore "Strategie Grains" parashikon që prodhimi i të gjitha drithërave të rritet sezonin e ardhshëm. Gruri i butë evropian pritet të shkojë 128,9 milionë tonë, mbi 17 milionë (15.5 për qind) më shumë se në vitin 2007.
Qendra studimore parashikon që drithërat franceze të rriten mbi 19 për qind, Gjermania mbi 16 për qind dhe Britania mbi 25 për qind.
Çmimet e grurit të kontraktuar në Paris sot ishin rreth 250 euro për ton, por në tregje u ulën për shkak të lëkundjeve financiare globale, të cilat, sipas analistëve, mund t‘i zbresin edhe më poshtë së afërmi, ndërsa investitorët i përdorën fitimet për të mbuluar humbjet diku tjetër.
"Tani për tani është koha për të absorbuar uljet, por prirja afatgjatë themelore tenton drejt shtimit të artikujve të butë. Ndërsa në lidhje me artikujt e fortë, frika e rënies ekonomike do t‘i ulë çmimet në afat të shkurtër", tha Ashok Shah, shefi i investimeve në kompaninë e menaxhimit të fondeve "London & Capital".
Të tjerë theksuan se interesi për mallra do të binte, përfshi edhe ato bujqësore.
"Rënia në tregjet financiare tashmë është faktor i sigurt, ndërsa deri tani kishte qenë e kundërta", tha Frederic Lasserre, kreu i kërkimeve të "Societe Generale".
SHQETESIME PRODHIMI
Pavarësisht rritjes së madhe të të korrave, analistët thanë se prodhimi në vitin 2008 thjesht do të cekë një nivel mesatar.
"Nuk vijmë nga një vit mesatar në një vit të mirë, por vijmë nga një vit i keq në një vit të zakonshëm", tha analisti James Dunsterville.
"Prej tani, deri në fund të vitit, të korrat nuk mund të shtohen kushedi çfarë, ndërsa është e sigurt mundësia e prishjes së tyre", shtoi ai.
Prodhimi i ulët ndërkombëtar i drithërave është një nga faktorët kryesorë që i çoi çmimet në nivele rekord sezonin e kaluar, së bashku me rezervat e pakta dhe rritjen e kërkesës botërore.
Në Evropë, çmimet e grurit për 2008/09 shiten më shumë se 25 euro, rreth 10 për qind më poshtë se çmimet e kontratave për këtë sezon, duke reflektuar parashikime të korrash më të mira se vitin e kaluar, por vazhdojnë të mbeten dukshëm mbi mesataren.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për tregun amerikan, ku çmimet e reja të drithërave janë rreth 6 për qind më të ulëta se ato të vitit 2007/08, por ende shumë lart mesatares, ndërsa investitorët janë të bindur se kërkesa do të jetë e madhe, sepse rritja e të ardhurave në Azi rrit kërkesën për ushqime me bazë drithërat.
Tregtarët thanë sot se Pakistani kishte blerë 500 mijë tonë grurë në një tender, një lëvizje që shihet si shenjë se çmimet e larta nuk e kanë ulur kërkesën e importit në nivel global.
Humbjet e kohëve të fundit në bursë nxitën shqetësimin për tregjet e mallrave bujqësore, megjithëse ndikimi i tyre në çmimin botëror të drithërave për sezonin e ardhshëm nuk ishte ende i qartë, thonë analistët.
Bursistët thanë se shumë gjëra varen nga kohëzgjatja e krizës.
"Të gjithë sektorët mund të fundosen, në qoftë se kriza financiare rezulton të jetë më e keqe seç e imagjinojmë ne sot", tha një bursist me qendër në Paris.
"Tani është i sigurt vetëm fakti që e gjithë kjo trazon emocionet e klientëve tanë".