Tornado në SHBA, dhjetëra të vdekur
Është rënduar bilanci i viktimave të shkaktuara në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga një seri tornadosh dhe nga turbullirat e theksuara të motit. Të vdekurit sipas CNN-it, janë të paktën 45, ndërsa agjenci të tjera lajmesh flasin për 47 apo edhe më shumë viktima. Për më tepër, qindra persona kanë mbetur të plagosur mes Arkansasit, Kentakit, Tenesit, Alabamës dhe Misisipit. Shumë prej rajoneve të goditura ishin të angazhuara në votimin e "Super të martës", ndërsa moti i keq godiste zonën. Të mëdha janë edhe dëmet e shkaktuara në banesat e zonës së goditur. Shumë familje kanë mbetur pa strehë. Autoritetet lokale, me kalimin e orëve dhe me zbardhjen e ditës, kanë marrë gjithnjë e më shumë sinjalizime për ndërtesa të shkatërruara dhe trupa të pajetë të gjetur mbi të gjitha në zonat rurale, që nuk kish qenë e mundur të arriheshin gjatë natës. Veçanërisht e rëndë është situata në Tenesi, ku viktimat, për momentin janë 24. Të gjithë kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, në fjalimet e tyre të paszgjedhjeve, kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet me shtetet e goditura. Një familje e tërë, nëna, babai dhe vajza 11-vjeçare, kanë mbetur të vrarë pas rrëzimit të shtëpisë së tyre, mbi të cilën u përplas tornadoja në Atkins, një qytezë me tremijë banorë në afërsi të lumit Arkansas. Në Tenesi, gjashtë persona janë vrarë nga stuhia, në Kentaki tre të rritur kanë mbetur të vdekur në Grinvill. Të paktën gjashtë spirale të çmendura ajri janë numëruar mes Oksfordit në Misisipi dhe Xheksonit në Tenesi, sipas shërbimit meteorologjik të Memfisit, ku edhe janë regjistruar të tjera viktima dhe dëme materiale. Është goditur nga tornadoja edhe konvikti i Universitetit "Union" në Xhekson, një qytezë që për shkak të tornadove, në vitin 2003, kishte humbur 11 banorë dhe në 1999-ën nëntë të tjerë. Asnjë student fatmirësisht nuk është plagosur rëndë. Në Misisipin Qendror, një tornado është përplasur mbi një magazinë, në zonën industriale të Sothaven-it. Tornadot kanë marrë përpara edhe një stacion të pompimit të gazit, në Grin Gruv, 64 kilometra larg Neshvilit, ku ka shpërthyer më pas një zjarr i vështirë për t‘u shuar. Flakët u panë gjatë orëve të natës në shumë kilometra distancë.