E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, në zgjedhje më 13 dhe 14 prill

Italia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mesin e prillit, duke sinjalizuar kështu rikthimin në pushtet të manjatit të mediave Silvio Berluskoni, që, sipas sondazheve, gëzon një avantazh të ndjeshëm kundrejt koalicionit të rrëzuar të qendrës së majtë. Në një rrjedhë dramatike të ngjarjeve, edhe sipas standardeve italiane, Kryeministri Romano Prodi, dha dorëheqjen muajin e kaluar, pasi aleatët e tij dezertuan. Përpjekjet për të ngritur një qeveri të përkohshme dështuan dhe apelet e Berluskonit për zgjedhje të parakohshme dominuan. Berluskoni, pronari 71-vjeçar i klubit të futbollit Milan, i rezistoi presionit të Presidentit Xhorxho Napolitano për krijimin e një qeverie të përkohshme që do të kryente reformën e sistemit të ngatërruar elektoral para zhvillimit të zgjedhjeve të reja. "Ndiej keqardhje sot, teksa thërras zgjedhësit të dalin sërish në votime pa kryer më parë reformën shumë të domosdoshme", tha Napolitano, pasi ai dhe Romano Prodi, tani ministër në detyrë, firmosën një dekret që shkrinte Parlamentin tre vjet para mbarimit të mandatit të tij. Më pas, u mblodh kabineti qeveritar për të përcaktuar datën e votimit, 13-14 prillin, e duke qenë se edhe zgjedhjet lokale nuk janë larg, edhe ato mund të afrohen për të ulur sipas Prodit "koston dhe bezdinë". Berluskoni, lider i Forca Italias, që ka qenë Kryeministër edhe dy herë të tjera më parë, është ndjeshëm para koalicionit të qendrës së majtë të Romano Prodit dhe sondazhet flasin për një distancë deri në 16 pikë. Rivali i tij kryesor tani do të jetë kryebashkiaku popullor i Romës, 52-vjeçari Valter Veltroni, që ka mbështetur një qeveri të përkohshme për ndryshimin e rregullave zgjedhore, që fajësohen gjerësisht për brishtësinë e qeverisë Prodi, e 61-ta në Itali, që nga Lufta e Dytë Botërore. Parlamenti është shkrirë edhe nëntë herë të tjera më parë, ndërkohë që vetëm një prej këtyre legjislaturave të shpërndara ka qenë më jetëshkurtër se kjo e tanishmja, në jetë vetëm prej 20 muajsh. Ish-presidenti i Komisionit Evropian, 68-vjeçari Romano Prodi, dy herë fitimtar mbi Berluskonin në zgjedhje dhe po dy herë i rrëzuar nga aleatët e pabindur (komunistët në 1998-ën dhe tani një parti katolike), konfirmoi se ai nuk do të kandidonte për rizgjedhje. E ndërsa industria u kërkoi politikanëve të sheshonin dallimet dhe të punonin në interes të vendit, në një kohë kur besimi i biznesit dhe konsumatorëve është në nivelet minimale, rritja ekonomike po ngec në vend dhe inflacioni sa vjen e rritet. Koalicioni i qendrës së djathtë i Silvio Berluskonit, është përpjekur së fundmi të rekrutojë partinë e vogël katolike, dezertimi i të cilës mbyti qeverinë e Prodit, ndërsa e majta ekstreme është fyer nga vendimi i Veltronit për të kandiduar i vetëm. Ekspertët, ndërkohë, thonë se një tjetër qeveri e zgjedhur nën rregullat aktuale zgjedhore, do të ishte po aq e paqëndrueshme sa edhe ajo e Prodit, që u dëmtua jashtëzakonisht shumë nga përplasjet e vazhdueshme mes aleatëve centristë dhe të majtë. Ndërkohë, edhe një qeveri e re Berluskoni, me shpenzime të ekzagjeruara, nuk shihet me sy të mirë nga ekonomistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›