"Fytyra e re" e prokurorisë shqiptare
Kryeprokurorja Ina Rama ka emëruar në postin e shefes së kabinetit Miranda Bushin, ish-kancelare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, ku deri disa muaj më parë ka punuar edhe vetë. Posti i shefit të kabinetit, në kohën kur drejtues i prokurorisë ishte Theodhori Sollaku, ishte lënë bosh. Tashmë, burrat e akuzës qendrore do të kenë dy "shefe", ndërsa mbrohen nga një bodigarde (bionde), çka ka sjellë një ndryshim rrënjësor në "fytyrën e re" të prokurorisë shqiptare. Gjithsesi, gratë duket se do të marrin disa poste të tjera në akuzën qendrore, pas emërimit të Ina Ramës në krye të prokurorisë. Postet e lëna bosh, pas dorëheqjes së këshilltarit për mediat, Agim Neza, dhe sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Koçollari, mund të pasohen nga të tjera "shefe".
Ndërkaq, burimet nga akuza qendrore thanë se kanë filluar procedurat për plotësimin e vendit vakant të sekretarit të Përgjithshëm. Në ditët në vazhdim, pritet të bëhen seleksionimet dhe më pas, në formën e një konkursi, do të zgjidhet edhe posti i barazvlefshëm me zv/prokurorin e Përgjithshëm. Ndërkaq, deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, se priten lëvizjet e disa prokurorëve, kanë shtuar "ethet" në radhët e prokurorëve. Dosjet ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të administratës shtetërore duket se do të bëjnë "kurban" edhe prokurorët e tjerë, ku disa prej tyre po përgatisin valixhet. Ndoshta valixhet mund t‘u shërbejnë për punën në ndonjë prokurori në rrethe të largëta. Më e favorshmja, sipas tyre, pritet të jetë shkrirja e disa sektorëve. Por çka është e sigurt se ndryshime do të ketë, pasi pritet që Kryeprokurorja të urdhërojë një kontroll në prokuroritë kryesore të vendit. Kontrolli pritet të përfshijë të gjitha dosjet që janë hetuar nga prokurorët gjatë vitit 2007. Në sitën e inspektorëve të Prokurorisë së Përgjithshme do të kalojnë edhe ato dosje, për të cilat është vendosur pushimi apo pezullimi i hetimeve.