Vëllezërit Buçpapaj, 30 vjet burg për prostitucion
Janë dënuar sërish. Dy vëllezërit Dritan dhe Elvis Buçpapaj janë shpallur për të dytën herë faktorë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet dhe janë dënuar me nga 15 vjet heqje lirie, si dhe me nga 1 milion lekë gjobë. Të dy vëllezërit ishin dënuar për herë të parë në shkurt të vitit 2006 nga Gjykata e Shkallës së Parë për veprën penale të "trafikimit të femrave për prostitucion" e kryer në bashkëpunim, duke u shoqëruar me keqtrajtim dhe dhunë fizike. Ata akuzoheshin se kishin dërguar një vajzë me inicialet D.B. në Itali ku e kishin shfrytëzuar si prostitutë. Të njëjtin vendim e ka lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit rreth dy muaj më vonë. Por të dënuarit e kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila pasi e ka marrë në shqyrtim ka vendosur se gjatë gjykimit ka pasur parregullsi dhe e ka rikthyer dosjen për gjykim nga një tjetër trup gjykues. Gjithsesi, odiseja procedurale nuk duket se ka sjellë ndonjë rezultat për Dritanin, 28 vjeç dhe Elvisin, 26 vjeç. Dje, gjykata ka dhënë dënimin përfundimtar duke i shpallur ata fajtorë dhe duke i dënuar me nga 15 vjet burg. Në pretencën e tij, prokurori kishte kërkuar dënimin me 16 vjet heqje lirie.