Kapet një kilogram heroinë në Fier
Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit, pasi në banesën e tij është gjetur një kilogram lënde narkotike që dyshohet prej policisë të jetë e llojit heroinë. Ndërsa policia ka vënë në pranga të riun, në cilësinë e provës materiale përveç lëndës narkotike ka sekuestruar edhe një peshore elektronike, si dhe 350 qese plastmasi farmaceutik, me të cilat, sipas policisë, bëhej ndarja e heroinës në porcione të vogla për shitje me pakicë. Ndërsa policia ka siguruar nga hetimet paraprake se destinacion i kësaj heroine ishte tregu vendas, deklaron se origjina e saj është prej vendeve fqinje si Greqia e Italia. Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar "Shinat", kjo për faktin se banesa e kontrolluar ndodhej përtej shinave, në drejtimin jugperëndimor të qytetit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit, është dashur një punë 2-mujore që seksioni i luftës kundër kultivimit dhe shitjes së bimëve narkotike në Drejtorinë e Policisë Fier të mund të arrinte në zbulimin e kësaj baze të trafikantëve të drogave të forta. Dje pasdite, pasi ishin siguruar provat e pakundërshtueshme, madje edhe me filmime, një grup agjentësh të seksionit të antidrogës kanë zbarkuar në lagjen Zhupan, në periferi të qytetit të Fierit. Agjentët kanë ushtruar kontroll në banesën e Flamur Hoxhës, ku kanë gjetur sasinë e lëndës narkotike, që dyshohet të jetë heroinë e pastër. Lënda narkotike ishte paketuar në tri pjesë, me peshë rreth 350 gramë secila. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesë është gjetur gjithashtu një peshore elektronike me ngjyrë të zezë dhe 350 qese të vogla farmaceutike. Këto qese, mendohet se përdoreshin nga Fatjon Hoxha për të ndarë në porcione të vogla heroinën e më pas ta tregtonte atë te përdoruesit. Pasi arriti të shtjerë në dorë të gjitha këto prova materiale, policia bëri arrestimin e Fatjon Hoxhës, 23 vjeç, me arsim tetë klasë dhe pa precedent të mëparshëm penalë.