Lul Berisha, 9 mijë faqe për trafikun e drogës
Antimafia italiane sjell në Shqipëri dosjen e trafikut të drogës ndaj organizatave kriminale të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle, aktualisht në gjykim për disa vrasje në qytetin bregdetar. Janë 9 mijë faqe përgjime dhe dëshmi të realizuara në dy vjet, të cilat do t‘i vihen në shërbim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas një verifikimi paraprak të materialeve mësohet se drejtësia italiane, ka mbajtur nën përgjim dhe survejim organizatat kriminale të drejtuara nga Berisha dhe Dokle. Në biseda, anëtarët e bandave tregojnë linjën e trafikut, i cili fillon nga sigurimi i "lëndës së parë" në Turqi, transportimin në Shqipëri dhe trafikimin në Itali. Burimet pohojnë se droga transportohej nga Shqipëria në Itali nëpërmjet Portit të Durrësit. Disa javë më parë, mungesa e provave, i ka detyruar hetuesit e çështjes t‘u kërkojnë zyrtarisht italianëve sjelljen e dokumenteve dhe transkriptimet e bisedave, midis anëtarëve të bandës, për zbardhjen e linjës. Kërkesa është pranuar nga italianët, të cilët i kanë servirur të gjithë dosjen, ku thuhet se pikërisht influenca në trafikun e drogës ka sjellë edhe ekzekutimet në qytetin bregdetar, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur një pjesë të tyre dhe dosjen e ka depozituar në gjykatë. Ndërkohë, për trafikun e drogës, akuza ka ndarë çështjen. Aktualisht, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje të penduarin e organizatës, Adriatik Coli, i cili ka treguar linjat e trafikimit. Ai ka pohuar se krerë të trafikut kanë qenë pikërisht Lul Berisha dhe Indrit Dokle, të cilët kanë paguar shuma marramendëse për eliminimin e njëri-tjetrit. I pyetur nga hetuesit e çështjes, për trafikun e lëndëve narkotike, Coli është shprehur se një pjesë e mirë e tyre janë shpenzuar për ekzekutimin Berishës, i "akuzuar" nga banda e Indrit Dokles si përgjegjësi për vrasjen e Klodian Saliut. Pikërisht, në të dyzetat e Saliut, ishte thurur plani për ekzekutimet, të cilat dështuan. Hetuesit e çështjes thanë se dëshmia e të penduarit mund të ndihmojë hetuesit e çështjes për zbardhjen e të tjerave ngjarje kriminale në qytetin bregdetar. Indrit Dokle, pas vrasjes së Klodian Saliut, mori "frenat" e bandës, duke rekrutuar disa vrasës me pagesë, të cilët ndërmorën një sërë iniciativash për ekzekutimin Berishës. "Vrasjet e shumta në qytetin e Durrësit midis bandës së Lul Berishës dhe Indrit Dokles kanë ardhur si pasojë e trafikut të drogës", thanë burimet nga akuza. Prokuroria thotë se konfliktet mes bandave në vitin 1998 fillimisht kanë lindur për rivalitetin në trafikun e drogës. Ka qenë koha që Lul Berisha ndodhej në burg në Itali, kur një prej të akuzuarve si bashkëpunëtori më i ngushtë, Klodian Saliu, ka devijuar, duke krijuar bandën e tij. Pas daljes nga burgu dhe mbërritjes në Shqipëri, dyshohet se Lul Berisha kishte humbur terren në trafikun e drogës në qytetin bregdetar. Akuza e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, dy të akuzuarve si krerë të bandave, u është ngritur mbi bazën e provave të siguruara për trafikun e drogës.
Banda e Durrësit
Avokatët kërkojnë
të njihen me dosjen
Procesi ndaj të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit ka nisur dje me kërkesat paraprake të palëve. Tre nga avokatët e të pandehurve kanë kërkuar që të njihen me materialet e dosjes që sipas tyre nuk u janë vënë në dispozicion nga prokuroria. Në veçanti, ata kanë qenë të interesuar për dëshminë e të penduarit të bandës, Adriatik Coli, e cila konsiderohet si dëshmia kyç e këtij procesi. Duke pranuar kërkesën e bërë nga mbrojtja trupi gjykues është detyruar të shtyjë vijimin e seancës deri në momentin kur avokatët do të jenë njohur plotësisht me materialet e kërkuara prej tyre.