E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Statusi i Kosovës, jashtë OKB

Siç dhe u parashikua, Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka marrë sërish një vendim për Kosovën në seancën e gjatë që u mbajt në Nju Jork. Por menjëherë pas saj ka ardhur deklarata e Uashingtonit, e cila përcillte zërin e fuqive të mëdha perëndimore, sipas së cilëve zgjidhja e statusit të Kosovës, do të bëhet jashtë dyerve të sallës ku mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Këtë qëndrim e ka bërë të ditur ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Zalmay Khalilzad, sipas të cilit Këshilli i Sigurimit ishte i bllokuar rreth Kosovës dhe se nuk kishte asnjë indikacion se do të mund të zgjidhej aty statusi i saj. Khalizad deklaroi se mbledhja që sipas orës lokale të Shqipërisë u zhvillua në orët e vona të së mërkurës, 16 janar në Nju Jork, nuk ishte ditë e debatit për çështjen e statusit të Kosovës, sepse një debat i tillë është bllokuar që në dhjetor. "Vendet perëndimore tani e dinë se në ç‘drejtim do të zhvillohen gjërat", tha ambasadori amerikan në OKB. Khalilzad theksoi se zbatimi i planit të Ahtisarit që i jep Kosovës pavarësi të mbikëqyrur është plani i vetëm në tavolinë dhe më i zbatueshmi për Kosovën. "Mendoj se Këshilli i Sigurimit është i bllokuar sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk ka më rol në këtë çështje. Nuk ka shenja se Këshilli i Sigurimit do të jetë në gjendje të veprojë për këtë çështje", ka thënë ai pas debatit dyorësh në selinë e OKB-së. Ambasadori amerikan shtoi se ka ekzistuar një marrëveshje që në debatin e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të mos diskutohet për statusin, por vetëm për raportin të cilin e ka prezantuar shefi i UNMIK ut, Joakim Ryker. "Ishim marrë vesh ta diskutojmë vetëm raportin e z.Ryker dhe në raport kishte gjëra që kishin të bënin me zgjedhjet dhe gjërat të cilat i pasuan zgjedhjet. Por, e bëmë një debat për statusin dhe i ripohuam qëndrimet e secilit dhe shprehëm keqardhje që palët nuk arritën një marrëveshje dhe që Këshilli i Sigurimit nuk ka mundur të marrë një vendim", deklaroi ambasadori amerikan në OKB, Kalilzad. Ai shtoi gjithashtu se gjatë debatit është përmendur se bashkësia ndërkombëtare ka nevojë që ta ndihmojë edhe pak Kosovën në ndihmë të pakicave. "Por nuk ishim të kënaqur që ata kishin trysni nga Beogradi për të marrë pjesë në zgjedhje. Ata tani kanë mbetur të izoluar nga procesi politik", ka thënë ai "Zgjidhja e statusit është e rëndësishme dhe do të vijë koha kur në një mënyrë apo në një tjetër kjo çështje duhet të zgjidhet", është shprehur Kalilzad. Diplomati i Uashingtonit paralajmëroi Serbinë pas deklaratave të krerëve të Beogradit për një bllokadë ekonomike ndaj Kosovës. Në lidhje me këtë aspekt, Khalilzad theksoi se "Ne do të ndërmarrim të gjitha masat që gjendja në Kosovë të jetë e qetë dhe që institucionet paralele të mos zhvillohen". Ndërkaq, kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker, bëri të ditur se anëtarët e Këshillit të Sigurimit e kanë ngritur çështjen e rritjes së numrit të kthimit të refugjatëve. Ryker tha se Kosova është e përkushtuar për këtë, por sa u përket përmbushjes së standardeve të tjera "ka kufizime për shkak të moszgjidhjes së statusit". "UNMIK u ka arritur tërë atë që ka qenë e mundshme të arrihet deri më tani. Për progres të mëtejmë në standarde duhet të zgjidhet statusi dhe kjo është gjëja më thelbësore", ka theksuar Ryker. Ai nuk pranoi të flasë se cili do të jetë statusi i Kosovës, për shkak të mandatit që ka, por tha se "institucionet e Kosovës janë të gatshme për statusin dhe për hapin tjetër". Në lidhje me akuzat e Tadiçit se në Kosovë nuk ka liri të lëvizjes, Ryker tha se duhet "ndarë perceptimi nga faktet". Ai tha se SHPK ka bërë një anketë me qytetarë të Kosovës, në fshatra dhe qytete, dhe se mbi 90% e tyre kanë thënë se ndihen të lirë të lëvizin. Ai bëri të ditur faktin kur mijëra serbë kanë ardhur në Kosovë për të festuar Ditën e Shën Stefanit, kanë ardhur nga Kosova, Serbia, rajoni, në numër më të madh se para luftës, madje edhe pa përcjellje të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›