GAZË – Të paktën 40 palestinezë të vrarë nga sulmet e fundit izraelite

GAZË, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Të paktën 40 palestinezë, përfshirë 17 gra dhe 10 fëmijë, vdiqën nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, bënë të ditur sot zyrtarët e spitalit.
Sulmet u intensifikuan ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të arrijë një armëpushim – që do të sillte lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite.
Trump u takua dy herë brenda dy ditësh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por bisedimet nuk patën një rezultat konkret.
Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur mbi 100 objektiva të Hamasit, përfshirë tunele, depo armësh dhe pozicione raketash.
Lufta – e cila ka hyrë në muajin e 21-të – ka rrënuar sistemin shëndetësor të Gazës, duke lënë disa spitale jashtë funksionit dhe duke vrarë mjekë të njohur. /Ad.Ab./ /a.i/