GJKKO merr vendimin, ndryshon masën për Ajola Xoxën

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, për heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Shkak në argumentet e Xoxës për kërkesën e heqjes të masave është shtatzënia, teksa mësohet se ka pasur komplikacione shëndetësore së fundmi dhe duhet të shkojë për një vlerësim jashtë Shqipërisë.
Kërkesa e saj u pranua nga trupa gjykuese e përbërë nga Engjëllushe Tahiri, kryesuese, si dhe Elsa Ulliri dhe Alma Kodraliu, anëtare, të cilat janë gjyqtare themeli në procesin ndaj Erion Veliajt etj.
Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Sipas SPAK, pandehuri Erion Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.
Prokuroria e Posaçme thotë se biznesmenët, në bashkëpunim me OJF-të, kanë derdhur në banka shuma monetare në formën e përfitimeve të parregullta, për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Depozitimi i këtyre parave, thotë SPAK, do të ishte i pamundur të përmbushej, pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF-ve.
SPAK ka përfshirë në këto akuzave edhe blerjet online të Ajola Xoxës në vlerën e 86.7 milionë lekëve.