Zogjtë e plagosur të Agim Vincës
Poeti i njohur nga Kosova sapo ka hedhur në treg një tjetër libër me poezi të quajtur "Zogj të plagosur". Ky vëllim është botuar në dy gjuhë, në shqip e gjermanisht dhe është botuar nga shtëpia botuese "Magic Verlag", nga Bazeli. Poezitë në gjermanisht janë përkthyer nga Naim Kryeziu, që jeton e punon në Zvicër, ndërsa zgjedhjen e poezive e ka bërë përkthyesi në bashkëpunim me autorin. Libri hapet me shënimet për autorin dhe me një parathënie të shkruar nga poeti zviceran Stephan Sigg (Stefan Zig), në të cilën, ndër të tjera, thuhet: "Vende dhe kohëra konkrete janë veçoritë e poezive të Agim Vincës. Lirika e tij nuk lëviz në ndonjë hapësirë pa ajër, por i ka rrënjët në Kosovë, në Shqipëri, në Shkup, në Tetovë, në Nish, në Çamëri, ku kanë ndodhur ngjarje të trishtueshme". Fjala është për një lloj lirike historike, që u referohet posaçërisht ngjarjeve të fundit në Kosovë, gjë që Agim Vinca e bën, natyrisht, me syrin e poetit. Në shikimin e tij lirik poeti paraqet absurditetin e luftës, shkruan për një politikë e cila nuk interesohet për njeriun, si dhe për konflikte të cilat kanë tmerruar popujt deri në palcë. Mirëpo, megjithëse, mbyllen kufij, burgosen dhe dëbohen njerëz, prapë nuk zhduket kujtesa dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Luftërat, krizat dhe konfliktet që ndodhën në Ballkan, lanë pas vetes plagë të rënda, shërimi i të cilave ende nuk ka përfunduar. Agim Vinca jep ndihmesën e tij në këtë rrafsh, duke rrëfyer jo thjesht për ngjarje historike a personale, por duke i vështruar ato nga një perspektivë historike. Vinca lufton me armën e letërsisë dhe na tregon se ia vlen të shpresohet, ashtu si në poezinë e tij "Unë, shpresa dhe dyshimi", e cila e shpall lirisht shpresën, një shpresë që e mund dyshimin: "Shpresoj!".