Abuzimi me pronat, pranga 4 zyrtarëve
Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e policisë ndërsa dy të tjerë janë shoqëruar, pasi akuzohen për korrupsion. Tre prej të arrestuarve janë punonjës të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që dy të tjerë merreshin me shitje apartamentesh. Ndërsa personi i gjashtë që ka përfunduar në prangat e policisë është një oficer i SHKB-së. Policia deklaroi në mbrëmje se Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj, Dali Hakorja, Halil Hima dhe Veiz Cenko janë emrat e gjashtë të arrestuarve, ndërkohë që emrat e të shoqëruarve nuk janë publikuar për arsye hetimore. Megjithatë, grupi hetimor shpjegoi se vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre kriminale, pasi ata dyshohen se duke shfrytëzuar detyrën kanë përfituar shuma të mëdha parash për mbivendosje të pasurive të paluajtshme.
Burimet policore bënë të ditur se hetimi për goditjen e këtyre personave kishte nisur disa javë më parë. Informacionet e para për këtë mekanizëm, policia i kishte marrë nga disa denoncime qytetarësh, të cilët pretendonin se pronat e tyre ishin mbivendosur nga punonjësit e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për këtë motiv është ngritur një grup hetimor dhe ka nisur punën për dokumentimin e dyshimeve të ngritura. Fillimisht është bërë verifikimi i këtyre deklaratave të qytetarëve dhe më pas në skenë kanë dalë dy punonjës së zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ata i përkasin zyrës së auditit të brendshëm. Kështu, mbi bazën e provave materiale, policia ka zbuluar se në këtë grup ishin të përfshirë Elton Babameto, Artan Mehmeti dhe Ramiz Hykaj, të cilët janë punonjës të hipotekave. Për Babameton dyshohet se është edhe punonjës i një firme private.
Sipas të dhënave hetimore, ata mbivendosnin apartamente të qytetarëve të ndryshëm në emra të tjerë. Këto shërbime, dy të akuzuarit dyshohet se i kryenin në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të cilët merreshin me shitjen e apartamenteve. Ndërkohë, gjatë hetimeve ka rezultuar se këta persona ishin Veiz Cenko dhe Halil Hima. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ata ndërhynin te njerëzit, të cilët donin të blinin apartamente. Të dy i paraqisnin apartamentet në pronësi të tjetër njeriu dhe nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ia kalonin pronësinë, personave që do i blinin. Kështu, për një apartament rezultonin të ishin pronarë më shumë se një person. Ndërkohë, gjatë hetimeve ka rezultuar se edhe Dali Hakorja ishte përfshirë në këtë grup, i cili është punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Ndërkohë, dy personat e tjerë të shoqëruar mbrëmë dyshohet se kishin bërë dokumentet e disa apartamenteve në emrat e tyre. Por, pas marrjes në pyetje, policia nuk ka mundur të gjejë prova implikuese për ta. Kështu, për këta dy persona, grupi hetimor nuk ka dhënë detaje për arsye hetimore. Ndërkohë, burimet policore bënë të ditur se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe disa shuma parash, që mendohet se janë përfituar nga shitje apartamentesh. Pas mbledhjes së gjithë materialeve, ditën e djeshme, grupi hetimor nga antikorrupsioni ka shkuar në prokurori, ku ka kërkuar prerjen e fletarresteve për pesë persona. Ndërsa në orët e pasdites, grupet operacionale kanë ndërmarrë aksionin për kapjen e gjashtë personave të dyshuar për mashtrim dhe korrupsion.
Të arrestuarit
Enton Babameto, punonjës i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Artan Mehmeti, punonjës i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Ramiz Hykaj, punonjës i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Dali Hakorja, oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm
Halil Hima, sekser
Veiz Cenko, sekser