E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, rikthehen skemat piramidale

Rikthehen skemat piramidale. Të paktën 100 persona kanë rënë viktima të mashtrimit me shuma marramendëse në Korçë. Të dëmtuarit janë që nga njerëz të thjeshtë, deri tek intelektualë, biznesmenë e drejtues institucionesh vendore. Pronarët e një firme konfeksionesh, që kanë shpallur falimentin një vit më parë, janë personat që kanë mundur të grumbullojnë më shumë se 2 miliardë lekë nga korçarët, pa ju hyrë ende gjemb në këmbë. Skandali ka arritur në dyert e drejtësisë, kur të paktën 20 të dëmtuar kanë bërë padi civile kundër dy personave që u kanë marrë paratë në formën e borxhit, por me premtimin që do të paguanin këste mujore me interes të lartë.

Mashtrimi

Të akuzuar për mashtrim janë Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, të cilët kanë përdorur një formë interesante për qëllime fitimi, duke mos rrezikuar aspak të ndiqen penalisht. Të dy biznesmenët u kanë kërkuar para të njohurve të tyre, me pretendimin se janë në prag falimentimi dhe se duhet të rimëkëmbin firmën. Jo vetëm kaq, por ata u kanë siguruar personave, të cilëve ju kanë marrë para në periudha të ndryshme, se do t‘ua kthenin paratë nëpërmjet pagimit të kësteve mujore me 12 për qind fitim dhe se paratë e grumbulluara do t‘i përdornin për hapjen e një linje të madhe konfeksionesh. Nisur nga ky fitim, disa herë më i lartë se interesat bankare, shumë persona kanë dhënë para borxh, por më vonë kanë kuptuar se në fakt kanë rënë pre e mashtrimeve.

Pasi kanë pritur më kot kthimin e parave, të dëmtuarit i janë drejtuar gjykatës me padi civile, ndërsa vetëm një rast i është kaluar prokurorisë për hetime si vepër penale, por që pas tre muajsh është mbyllur, pasi të paditurit e kanë pranuar marrjen e parave, por kanë premtuar se do t‘i kthejnë ato.

Vasillaq Cerveni është njëri nga personat që ka dorëzuar 100 mijë dollarë me një kontratë noteriale që mban vulën e kompanisë "Interkonfeksion" dhe firmat e personave që kanë marrë paratë. Cerveni ka dhënë një shumë të madhe parash, por pasi i është paguar një këst, borxhlinjtë i janë shmangur detyrimit, ndërsa ai i është drejtuar në nëntor të vitit të kaluar Prokurorisë së Korçës me një padi penale.

Për tre muaj me radhë, nga ana e prokurorisë janë marrë në pyetje jo vetëm personat që akuzohen për mashtrimin, por edhe persona të tjerë, që kanë rënë në grackën e dhënies së parave me fajde. Por sipas prokurorisë, që e ka mbyllur çështjen penale, për sa kohë që paratë janë marrë me pëlqimin e palëve dhe me kontrata noteriale, nuk konsiderohet mashtrim dhe si rrjedhojë nuk ka vepër penale.

Nga ana tjetër, mësohet se Jani Lluka dhe Ilia Nikolla kanë grumbulluar të paktën 2 miliardë lekë në formë borxhi nga biznesmenë dhe intelektualë korçarë, me pretendimin se do të investojnë në një linjë të madhe konfeksionesh. Të dëmtuarit nga dhënia e borxheve në shuma marramendëse kanë dorëzuar paratë jo vetëm në mirëbesim, por edhe kundrejt interesit, pasi sipas marrëveshjes me dy biznesmenët, përqindja e fitimit do të ishte shumë herë më e lartë se interesi bankar, deri në 12 për qind në muaj. Kjo ka bërë që shumë korçarë të bien pre e mashtrimit duke dorëzuar paratë te Jani Kulla dhe Ilia Nikolla, pronarët e fabrikës "Interkonfeksion", që u mbyll në muajin shtator të vitit të shkuar.

Ndërkohë mësohet se "bosët" e rinj të fajdeve kanë marrë kredi në shuma të mëdha edhe në dy banka (një shqiptare dhe një greke) dhe nuk kanë shlyer këstet mujore të këtyre kredive.

Viktimat

Vasillaq Cerveni thotë se personat që ka paditur jo vetëm që nuk janë vënë në pranga, por refuzojnë të paraqiten në seanca gjyqësore dhe më tej të japin shumat e parave, duke shtyrë afatet e dorëzimit. Ai thotë se të dy biznesmenët që kanë marrë lekët ndodhen në Shqipëri, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë përgatitur edhe largimin jashtë shtetit, për t‘i shpëtuar ndëshkimit.

"Unë kam dhënë një shumë prej 100 mijë dollarësh. Më thanë se paratë ju duhen për aktivitetin, se ishin në krizë dhe po falimentonin, ndaj duhet të hapnin një fabrikë të re. Për sa kohë që bëhej fjalë për një shumë të madhe parash, nuk mund t‘ua jepja, edhe pse në mirëbesim, pa një kontratë noteriale dhe ata ishin të gatshëm që dorëzimi të bëhej në prani të një noteri dhe të vendosnin edhe vulën dhe firmën në kontratën e lidhur me këtë rast. Shumë mirë mund t‘i mbaja paratë në bankë, por u nisa nga fitimi, pasi ata deklaronin se do të jepnin këste mujore me fitim më të lartë sesa bankat. Kështu ramë dakord dhe firmosa për dhënien e lekëve me një interes mujor prej 12 për qindësh. Pasi u kisha dhënë paratë, mësova nga miqtë e mi se ata e kishin mbyllur fabrikën e konfeksioneve dhe nuk kishin paguar as rrogat e punëtorëve. Gjithashtu mora vesh se njësoj si unë kishin dhënë para me fajde edhe shumë të tjerë. Mua më dhanë vetëm këstet e para dhe kur nuk u bënë më të gjallë për të dhënë paratë i kontaktova, por më thanë se do mi japin me vonë sepse ishin në vështirësi ekonomike. Iu drejtova fillimisht gjykatës, ku mësova se edhe 20 persona të tjerë nga qyteti kishin gjyqe me ta për borxhet. Përveç atyre që kanë çështje në gjykatë, unë personalisht njoh të paktën 100 persona që kanë dhënë lekë si unë dhe i kam takuar dhe kam mësuar se janë mashtruar njëlloj. Nga sa di unë, mund të kenë marrë në Korçë dhe në fshatra mbi 2 miliardë lekë", thotë Cerveni.

Ai ka vendosur të denoncojë këtë skandal publikisht kur pas hetimeve dhe padisë penale në prokurori ka marrë edhe përgjigjen nëpërmjet një vendimi që çështja në fakt do t‘i kalojë gjykatës si çështje civile dhe jo penale. Në kopjen e vendimit për pushimin e çështjes penale jepen edhe arsyet që lidhen me faktin se personat e kanë pranuar marrjen e borxhit dhe se veprimet janë bërë me kontrata me pëlqimin e palëve.

Si rrjedhojë, nuk vërtetohet vjedhja nëpërmjet mashtrimit dhe kjo çështje duhet të ndiqet nga ana e gjyqësorit me gjykim civil. Në të njëjtën situatë, viktima të mashtrimit janë mjekë, dentistë, biznesmenë, drejtues institucionesh e kështu me radhë, të cilët presin nga drejtësia të gjejë sa më parë personat që kanë marrë prej tyre shuma të mëdha parash, në euro, dollarë dhe lekë dhe që nuk ua kanë kthyer më.

Mjeku Isuf Salicaj është një tjetër i dëmtuar që deklaron se ka dhënë paratë në vitin 2006. Sapo ka dalë nga seanca gjyqësore e radhës, Salicaj ka thënë se personat e paditur nuk paraqiten në gjykatë. Bashkë me Vasillaq Cervenin ata kanë bërë apel që nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme të ngrihet një grup ekspertësh për këtë rast dhe të vihen para përgjegjësisë autorët e kësaj vjedhjeje në përmasa të mëdha. Salicaj tregon se ka dhënë 5 milionë lekë dhe 1300 euro, me të njëjtin sistem.

Ai tregon se i ka dhënë paratë për aktivitetin e firmës në formë borxhi që në vitin 2006, por as sot e kësaj dite nuk i janë kthyer. "Në një kohë kur ka kaq shumë padi dhe çështje në gjykatë kundër tyre, ne nuk na kthehen paratë, ndërsa të dy personat lëvizin të qetë në Korçë apo në Tiranë. Ata po funksionojnë si firmë piramidale dhe paratë nuk na janë dhënë. Kam disa seanca që vij dhe ata nuk paraqiten. Kemi rënë pre e mashtrimeve, të dy janë mashtrues të mëdhenj, që po lihen të qetë. Kërkojmë nga ana e drejtësisë të marrë masa sa më parë për këtë rast", thotë mjeku Isuf Salicaj. Lista e emrave të personave që kanë dhënë para me fajde është e gjatë.

Gjykata

Kancelari i Gjykatës së Korçës, Shkëlqim Kajmaku, deklaron se pranë këtij institucioni ka pasur padi të shumta me të njëjtin objekt dhe çështje që janë ende në proces. Ai thotë se numërohen mbi dhjetë çështje civile në ngarkim të dy pronarëve të firmës së falimentuar "Interkonfeksion", që janë ende në proces gjykimi. Ndërkohë mësohet se shumë çështje të tjera janë mbyllur me vendim gjykate.

Nga ana tjetër, disa nga personat e dëmtuar nuk kanë pranuar të dalin publikisht për të denoncuar këto raste, edhe pse kanë dhënë shuma deri në 50 mijë euro. Ata thonë se ia kanë lënë në dorë drejtësisë këtë çështje. Por arsyeja kryesore pse nuk prononcohen, është se janë persona publikë, intelektualë apo njerëz me poste në qytetin e Korçës.

Ligji

Dënimi për mashtruesit, deri në 10 vjet burg

Ligjet shqiptare për fajdenë janë të qarta e të ashpra, pasi janë hartuar tërësisht pas trazirave të vitit 1997, që ndodhën pikërisht për shkak të skemave piramidale.

Ekspertë të bankave thonë se asnjë person nuk ka të drejtë ligjore të ndryshojë interesat jashtë sistemit bankar. Një prej tyre thotë: "Marrëdhëniet për interesat e fitimit të shumave të depozituara vendosen vetëm nga sistemi bankar dhe sipas ligjit, asnjë person nuk ka të drejtën ligjore të ndërhyjë për të ndryshuar këto norma. Përqindjet caktohen vetëm nga bankat dhe ata që kryejnë veprimtari të tilla jashtë sistemit bankar do të thotë se kanë shkelur ligjin, pasi askujt nuk i njihet kjo e drejtë".

Juristë dhe persona brenda sistemit gjyqësor deklarojnë se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë ndalohet përfitimi i interesave mbi mesataren e interesave bankare.

Ndërkohë, sipas nenit 143 të Kodit Penal, "vjedhja me anë të mashtrimit", kur ka të bëjë me shuma të konsiderueshme parash dhe me disa persona, dënohet me 3 deri në 10 vjet heqje lirie, por sërish mbetet për t‘u shlyer detyrimi financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›