Integrimi ne Evrope? Ja detyrat qe nuk realizuam
Në një intervistë për gazetën "Shqip", ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bën një përmbledhje të shkurtër të punës njëvjeçare të ministrisë që ajo ka drejtuar. Sipas saj, gjatë një viti shumë janë bërë, por akoma ka nevojë edhe më shumë për t‘u bërë, pasi realizmi i qëllimit të kësaj ministrie është atëherë kur Shqipëria arrin integrimin e saj të plotë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Gjithashtu ajo thekson se për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të plotësohen nga qeveria shqiptare një sërë reformash, siç është ajo në sistemin e drejtësisë, reforma zgjedhore. Integrimi, është shprehur Bregu, varet nga përmbushja e detyrimeve që rrjedhin prej tij, zhvillimi i konsoliduar ekonomik i vendit, arritja e standardeve demokratike dhe forcimi i shtetit ligjor.
Znj. Bregu, po mbyllet vitit 2007 dhe ministria juaj, ashtu si çdo institucion tjetër, do të bëjë analizën vjetore të punës së saj. A mund të na thoni shkurtimisht si është mbyllur ky vit për ministrinë tuaj, sa suksese dhe dështime keni evidentuar gjatë punës?
Pozitiv është fakti se procesi i integrimit po shkon mirë, jemi në fazën e ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare dhe deri tani parlamentet e 15 vendeve kanë ratifikuar MSA-në. Drejt përfundimit të procedurave të ratifikimit të MSA-së po shkon edhe Belgjika, ku është ratifikuar marrëveshja nga Parlamenti i Brukselit dhe pritet ratifikimi vetëm nga parlamentet rajonale. Gjithashtu, shumë shpejt pritet ratifikimi nga Franca, e cila ka konfirmuar mbështetjen e saj në proceset integruese të vendit
tonë. Shpresojmë që brenda mesit të vitit 2008 të përfundojë ratifikimi i MSA-së nga 27 vendet anëtare. Ky do të jetë synimi ynë. Për sa u përket dështimeve, do të thosha që më shumë se të tilla kemi gjëra që duhen përmirësuar vitin e ardhshëm. Reforma zgjedhore, sistemi gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë fushat që qeveria ka vënë në fokus të saj dhe njëkohësisht prioritetet e dokumentit të partneritetit evropian. Nuk mund të mos përmend dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative, rekomandim ky jo vetëm i dokumentit të ri të partneritetit evropian, por edhe një domosdoshmëri për të përballur e përshpejtuar ritmin e reformave. Me gjithë rezultatet e arritura, mendoj se më e rëndësishmja është faza të cilën e kemi nisur së bashku me ministritë e linjës, nxjerrja e detyrave konkrete për hapat e mëtejshme që duhet të ndërmerren për të arritur progresin e duhur, në ato fusha ku ai nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar. Ky proces ka nisur me analizën që çdo ministri po i bën raportit të fundit të Komisionit Evropian, duke hartuar planin e punës të vitit në vijim, në përputhje me rekomandimet e këtij dokumenti dhe të atij të partneritetit evropian.
Fjala integrim është kthyer, më shumë se sa në një dëshirë, në një fjalë paksa bezdisëse, ngaqë përdoret më shumë si slogan. A mund të na thoni se sa i vonuar do të jetë ky integrim?
Shqiptarët janë një nga kombet më pak euroskeptikë në Evropë dhe ky është një element i rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit. 93% e shqiptarëve e mbështesin këtë proces.
Procesi i integrimit nuk duhet limituar në një proces datash. Dhe do të kërkoja kontributin e të gjithëve, edhe tuajin, për ta mbajtur gjallë integrimin si proces. Mesazhi më i mirë që ne mund të përcjellim në institucionet vendimmarrëse për anëtarësimin tonë në BE është serioziteti dhe pakthyeshmëria e reformave të nisura. Ne duhet t‘i kushtojmë vëmendje besoj realizimit të reformave në mënyrë thelbësore, në mënyrë që ndryshimi e afrimi drejt BE të jetë thelbësor. Qytetarët kanë nevojë për një vizion të qartë mbi këtë proces. Qeverisja duhet të ofrojë si të vetmin vizion, anëtarësimin e plotë në BE. Integrimi varet nga përmbushja e detyrimeve që rrjedhin prej tij, zhvillimi i konsoliduar ekonomik i vendit, arritja e standardeve demokratike dhe forcimi i shtetit ligjor. Ajo që është e rëndësishme është se gatishmëria jonë për të përmbushur detyrimet e përshpejton ditën e anëtarësimit në BE.
Çfarë përfitojnë shqiptarët nga integrimi në BE?
Kuadri i përgjithshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përbëhet nga katër shtylla: dialogu politik dhe bashkëpunimi rajonal, dispozitat tregtare lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve deri në vendosjen e një zone tregtie të lirë midis palëve, liritë komunitare dhe së fundmi bashkëpunimi në fushat prioritare, sidomos në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të
brendshme. Besoj se çka lidhet ngushtësisht me qytetarët është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, liberalizimi i tregut, krijimi i zonës së tregtisë së lirë që mundësohet nga Marrëveshja e Përkohshme, e cila është në fuqi. Falë zbatimit të Marrëveshjes së Përkohshme, ka tarifa doganore më të ulëta, fluks më të madh të shkëmbimit të mallrave mes palëve kontraktuese, rritje të mirëqenies e produktivitetit, ulje të çmimeve të produkteve,
papunësisë, përmirësim të situatës makroekonomike. Në janar të 2008 hyn në fuqi Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave dhe njëkohësisht dhe dialogu mes Komisionit Evropian e vendeve anëtare për liberalizimin e plotë të vizave. Kur lehtësimi i vizave të bëhet një realitet i ndjeshëm për qytetarët shqiptarë, sigurisht që do të konsiderohet edhe si një nga përfitimet kryesore të procesit. Por, më të rëndësishme se të gjitha këto, janë përfitimet që gjenerojnë nga integrimi në BE: krijimi i shtetit ligjor dhe me reforma të përmbushura.
Cilat janë detyrimet shoqërore që duhet të plotësojë shteti ynë dhe deri ku ka arritur me plotësimin e tyre? Për sa u përket detyrimeve qytetare, sa të përgatitur janë shqiptarët për këtë proces?
Informimi i qytetarëve lidhur me integrimin e vendit është një detyrim dykahësh, pasi varet sa nga dëshira e tyre për t‘u njohur me procesin, po aq edhe nga mundësitë informuese që u ofrohen nga institucionet që përfaqësojnë shtetin. Ministria që unë drejtoj u kushton rëndësi të veçantë fushatave informuese, nëpërmjet spoteve, broshurave të botuara për moshat shkollore, apo përfshirjes në kurrikulën e shkollës së mesme dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale të një lënde mbi BE-në. Shumë shpejt do të nisë një cikël i plotë dokumentarësh të shkurtër mbi BE dhe proceset integruese. Kemi hartuar një strategji të plotë komunikimi që tashmë kemi nisur ta implementojmë. Synimi ynë është që publiku të njohë në tërësi procesin dhe të mos e konturojë atë me çështjen e lehtësimit të vizave apo përfitimit të tarifave të ulëta nëpër dogana. Përfitimet dhe detyrimet janë shumë më të
gjera se kaq dhe ato duhet të përforcohen për t‘u kuptuar dhe më pas realizuar.
Duke u ndalur paksa te detyrimet politike, është folur shpesh për afate dhe detyra, a mund të na thoni deri kur pritet të zgjasë ky proces dhe deri ku jemi me realizmin e tyre?
Për sa i përket kriterit politik të Kartës së Kopenhagenit, nevoja për më shumë bashkëpunim e konsensus për reformat e mëdha nga të gjitha palët politike është një mesazh që përsëritet në të gjitha takimet mes përfaqësuesve të BE-së dhe palës shqiptare. Nëse Shqipëria ka ecur përpara në përmbushjen e kriterit ekonomik, mbetet ende për të bërë për sa i përket kriterit politik, ku kryesore mbetet sigurisht dhe sfida për t‘u realizuar vitin që vjen reforma në gjyqësor, ajo elektorale, të mishëruara në luftën kundër korrupsionit dhe përgatitjen e një infrastrukture zgjedhore që përmbush standardet evropiane. Integrimi evropian është mishërimi i një dëshire të hershme të shqiptarëve dhe politika e politikanët duhet veçse t‘i shërbejë fisnikërisht përmbushjes së kësaj dëshire. Ndaj, detyrimi ynë i përbashkët politik nuk mund të jetë as më pak e as më shumë se sa të nxjerrim në pah e të punojmë mbi perspektivat që na bashkojnë e jo ato që na ndajnë.