PD kërkon kufizimin e imunitetit edhe në nivelin e prokurorisë apo të gjykatave
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i ka bërë thirrje politikës së majtë të lërë teoritë dhe të zbatojë praktikat për ligjin që kufizon imunitetin. Duke paraqitur një projektligj që kufizon imunitetin e deputetëve, ideja e mazhorancës shkon edhe më tej, duke kërkuar që përveç deputetëve duhet kufizuar dhe imuniteti i përfaqësuesve të drejtësisë. "Kjo bëhet në sinkron dhe me legjislacionin që kanë dhe disa vende të Bashkimit Evropian. Natyrisht kemi pritur dhe konsensusin e opozitës. Opozita është shprehur teorikisht pro, por praktikisht nuk ka dhënë miratimin për kalimin e këtij projektligji", tha Biberaj. Sipas tij, mazhoranca dëshiron që opozita të bëhet pjesë në këtë projektligj, në mënyrë që deputetët të mos kenë këtë imunitet që kanë sot. "Natyrisht ne kemi marrë dhe opinionin e Komisionit të Venecias, kështu që do të thosha që jemi në sinkron edhe me komunitetin ndërkombëtar", tha ai. Sipas Biberajt, opozita është shprehur që jemi dakord, kemi vullnet politik, por duhet të kemi parasysh se vullneti politik materializohet nëpërmjet ligjeve që miraton Parlamenti. "Pavarësisht se një deputet deklaron që heq dorë nga imuniteti, ligjërisht kjo deklaratë e tij nuk merret për bazë. Kështu që duhet të miratohet ligji, në mënyrë që deputeti të mos ketë imunitetin që ka sot", tha ai. Konkretisht ka qenë vullneti i vetë ministrit Basha për të shkuar në prokurori dhe vullneti i vetë mazhorancës, por kufizimi i imunitetit vazhdon të mungojë si ligj. "Nevojitet vullneti politik në Parlament, në mënyrë që të realizohet reforma në sistemin e drejtësisë, ndaj dhe opozita duhet të bëhet pjesë e punës për këtë reformë", tha ai. Duke e konsideruar reformën në drejtësi si një prioritet kryesor të mazhorancës, Biberaj theksoi se "gjatë këtyre 17 viteve sistemi i drejtësisë ka pasur mangësi në funksionimin e tij, ndërkohë që opozita nuk ka qenë sinkron në qëndrimin e saj për këtë çështje". Sipas tij, ka disa deputetë të opozitës që janë pro reformës në drejtësi, por ka edhe disa të tjerë që e kanë kundërshtuar. "Mendoj se opozita duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta si pjesë e Parlamentit shqiptar, pasi këto janë reforma afatgjata që nuk i shërbejnë vetëm një mazhorance apo qeverisje, por i shërbejnë interesit të vendit në terma afatgjatë", deklaroi Biberaj. Lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit të deputetit, Biberaj theksoi se "aktualisht ka një qëndrim tepër korrekt, i cili është sinkron edhe me vendimin politik të mazhorancës, pasi dihet se ka vite që kemi depozituar një projektligj për kufizimin e imunitetit të deputetëve".