E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, Patozi: Presim bashkëpunimin e opozitës

Tiranë- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka deklaruar sot se pret bashkëpunimin e opozitës, por edhe grupeve të tjera parlamentare, për t'u ulur së bashku pa humbur kohë për ligjin e imunitetit.

Gjatë një deklarate për mediat, Patozi është shprehur se vendi duhet të heqë një orë e më parë, barrierën e lartë që i qëndron mbi shpinë.

"Ky vend më shumë se kushdo tjetër e ka të nevojshme të heqë këtë barrierë të lartë që jo vetëm i bën hije, por edhe e pengon në mënyrë thelbësore në luftën kundër korrupsionit", tha Patozi.

Sipas tij, është koha për t’u ulur të gjithë bashkë dhe pa humbur kohë të ndahemi me ligj nga korraca e panevojshme e imunitetit.

Në emër të grupit që përfaqëson ai është shprehur i gatshëm për të dhënë të gjithë kontributin në funksion të këtij qëllimi, i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetë i një partie të vetme.

Ai ka vlerësuar deklaratën e ambasadorit amerikan John Withers, për kufizimin e imuniteteve në Shqipëri si "një hap kyç në luftën kundër korrupsionit.''

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›