Gjirokastër, gjobiten 612 shoferë
Operacioni i koduar “Siguria e Jetës”, ndërmarrë nga Sektori i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër , mbështetur edhe nga forcat e F.N.SH-së vazhdon të mbajë nën kontroll lëvizjen e rënduar të trafikut të automjeteve në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavije duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, numri i gjobave të vendosura gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni llogaritet në 612 masa administrative me vlerë financiare prej rreth 420 mijë lekë. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, “gjatë kësaj kohe nga postoblloqet e policisë janë bllokuar 61 autovetura të cilat qarkullonin pa dokumentacionin përkatës ndërkohë që janë hequr xhamat e zinj të 36 autveturave veprim i shoqëruar edhe me masa administrative”.
Ndërkohë operacioni "Siguria e jetës" do të vijojë edhe në rrethet e Përmetit dhe Tepelenës duke patur si synim mbajtjen nën kontroll të fluksi të qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin ligjor të drejtuesve të automjeteve të cilët gjatë lëvizjes shkelin rregullat e Kodit Rrugor.