Shqipëri-BE, heqja e vizave varet nga reformat
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në KE kërkon vazhdimin e reformave dhe zgjidhjen e pronës
TIRANË-
Heqja e aplikimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian nuk ka për shtysë një kalendar, por zbatimin e reformave. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierre Mirel, e ka thënë qartë pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha: “Dua t’i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ndaj të cilës tashmë janë marrë një sërë masash. Gjithashtu, në lidhje me klimën e biznesit, dua të theksoj nevojën për zgjidhjen e çështjes të së drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve”, - tha dje Mirel në konferencën për shtyp të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha. Mbi të gjitha, mesazhi i tij kryesor ishte konsensusi politik për reformat politike prioritare. “Në këtë kontekst, ne mirëpresim dhe vlerësojmë shumë marrëdhëniet e mira ndërpartiake në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ne besojmë se vetëm nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit mund të ndërmarrin dhe realizojnë reforma konsensuale, të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”,- tha ai. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian i mëshoi faktit se duhet ndihma e qeverisë shqiptare, që të punojë shumë për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, më qëllim rekomandimin më pas vendeve anëtare të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Për këto çështje, dhe çështje të tjera, ne do të garantojmë fondet e mjaftueshme nëpërmjet Instrumentit të Para-Aderimit. Rreth 200 milionë euro do të jepen gjatë 3 viteve të ardhshme dhe jam shumë i kënaqur të theksoj se këto do të jenë fonde që do të jepen si grante nga vendet e Bashkimit Europian”,- tha ai. Zhvillimet politike n vend, ecuria e procesit t reformave, lufta kundr korrupsionit, procesi i liberalizimit t vizave, çshtja lidhur me progres-raportin dhe zhvillimet rajonale, ishin temat e diskutimit edhe në takimin që Mirel zhvilloi me Ministrin e Jashtëm, Basha.