E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gara në PD, Mustafaj: Sjam konsultuar me Berishën

Mustafaj shprehet se moskonsultimi me Berishën nuk është një barrierë për të mos siguruar votat e mjaftueshme nga baza

TIRANË- Besnik Mustafaj konfirmoi dje publikisht marrëdhënien e ftohtë mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha kur doli para gazetarëve për të sqaruar se për të kandiduar për kreun e PD-së së Tiranës ishte konsultuar me statutin e partisë dhe jo me liderin demokrat Berisha. “Kryeministri është njëkohësisht kryetar i PD-së. Unë e kam votuar që në themelimin e PD-së z.Berisha, dhe e votoj ende, po të jetë në garë për diçka, por në themel të PD-së, nuk është kryetari, por është statuti i partisë. Dhe unë jam konsultuar shumë mirë me statutin e partisë”,- tha dje deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj. Ish-ministri i Jashtëm i dorëhequr një vit e gjysmë më parë ka shpallur kandidaturën për degën e kryeqytetit në garën e brendshme zgjedhore në PD, ndërsa shprehet se moskonsultimi i tij me Berishën, nuk e pengon aspak atë në marrjen e votave nga baza. I pyetur pikërisht për këtë çështje, nëse fakti që ai nuk ishte konsultuar me Berishën, do të ndikonte edhe në bazë, Mustafaj u përgjigj se çdo anëtar i PD-së ka rëndësinë e vet në formulimin e politikave të partisë. “Kur thashë që jam konsultuar me statutin, besoj se z.Berisha dhe cilido nga drejtuesit e partisë nuk ka asnjë bibël tjetër orientimi për të ndërtuar brenda PD-së, atë liri për të cilin kanë nevojë të gjithë anëtarët e PD-së, për të ndërtuar atë frymë dëgjimi, që do të thotë, që çdo anëtar i PD-së ka rëndësinë e vet në formulimin e politikave të PD-së. Rrjedhimisht unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë”,- tha Mustafaj. I vënë në një pozicion të vështire nga përfaqësues të medias lidhur me faktin se mos konsultimi mes tij dhe Berishës do të kthehej në një barriere për të, deputeti demokrat sqaroi se fushata e tij nuk ishte kundër kryeministrit Sali Berisha. “Përkundrazi është në shërbim të forcimit të PD-së dhe kjo është edhe në interesin e PD-së, që do të thotë që i gjithë personaliteti i z.Berisha mbështetet mbi atë çka mund të ndërtojë PD”,- tha ai. Edhe pse në degën e PD-së në Tiranë kanë filluar mbledhjet e seksioneve dhe zgjedhja për kryetarin e PD-së së Tiranës është ende larg, deputeti i PD-së shprehet se kandidimi i tij është në kohë dhe se fushata është e vonuar. “Nuk është aspak i parakohshëm. Përkundrazi, kandidimi im është në kohë, por fushata është e vonuar dhe unë shpresoj që strukturat drejtuese, në respekt edhe të detyrimeve statutore do të vendosin shumë shpejt kalendarin e zhvillimit të fushatës që tashmë zyrtarisht kemi hyrë”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›