E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: "S'do të kemi qetësi pa u zbardhur krimet e komunizmit"

Shkodër, Topi drekë me deputetët e PDK-së e PD-së SHKODER- Pas veprimtaritë përkujtimore në nderim të Kryengritjes Antikomuniste të Komunës së Postribës të 9 shtatorit të vitit 1946, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka drekuar në një nga lokalet e Shkodrës me disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kanë qenë pikërisht deputetët që e kanë shoqëruar këtë të fundit, të cilët janë mbledhur bashkë për të kaluar, siç thanë ata, një mesditë të këndshme dhe larg temave të nxehta të politikës. Në drekën e djeshme kane qenë të pranishëm deputetë të partive të ndryshme politike, disa prej të cilëve edhe për shkak të së kaluarës së tyre, nuk mund të mungonin në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Komunës së Postribës. Kështu deputetët demokristianë, Nard Ndoka, Ndue Shpani dhe Frrok Gjini dhe ata demokratë, Sali Shehu dhe Bujar Leskaj mësohet se kanë drekuar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, por nuk kanë bërë të ditur objektin e bisedës, duke u shprehur vetëm se ishte një takim miqësor, ku bisedat politike nuk ishin pjesë e një tryeze të tillë. Shpeshherë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi drekon më deputetët të ndryshëm të Kuvendit të Shqipërisë, porse qëllimi i tyre, ashtu siç është shprehur edhe ai vetë, nuk ka asnjëherë ndonjë prapavijë politike, përveçse konfirmim të ruajtjes së marrëdhënieve miqësore me disa prej deputetëve të Shqipërisë.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit premton hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit

SHKODER- Nxehtësia e verës nuk ka mundur ende të shkrijë akujt e marrëdhënieve mes kreut të shtetit, Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Të pranishëm dje në tubimin përkujtimor të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës në Shkodër, dy krerët më të lartë të shtetit janë paraqitur edhe një herë të ndarë në aktivitetet e tyre përkujtimore. Kështu, Kryetarja e Kuvendit, si për të treguar individualitetin e vet, i ka nisur takimet dhe vizitat me rastin e përvjetorit të kësaj ngjarje më parë se kreu i shtetit, duke vizituar një ekspozitë me foto nga të pushkatuarit dhe të dënuarit e kësaj kryengritjeje, ndërsa i është bashkuar më pas (edhe për shkak të protokollit) tubimit ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Topi

Kryetari i shtetit Bamir Topi ndërsa i ka dorëzuar kreut të Komunës së Postribës, Faz Shabaj, Urdhrin që e shpall këtë komunë “Nderi i Kombi”, ka sulmuar ashpër politikën për qëndrimin që ka mbajtur në vazhdimësi për dënimin e krimeve të komunizmit dhe për rehabilitimin e atyre figurave historike që kanë rënë preh e sistemit totalitar. “Ne duhet t’i rikthejmë identitetin historisë nëpërmjet personazheve të vërteta, personazhe që drejtpërsëdrejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës e ku nëpërmjet shembujve të jetës së tyre kanë ravijëzuar një vend, historia e të cilit për një epoke të tërë, është gjymtuar”,- tha kreu i shtetit në fjalën e vet përshëndetëse. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga opinioni i gjerë në përgjithësi, por edhe nga politika në veçanti që t’i shmanget leximit të njëanshëm e ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. “Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund, moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi, dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte më tej shoqërinë”, - tha Topi.

Topalli

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli (nisur edhe nga fjala e mbajtur e Topit), ka theksuar se mënyra më e mirë për dënimin e krimeve të komunizmit mbetet hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Për këtë ajo ka siguruar se ligji që është aktualisht duke u diskutuar në komisione, do të miratohet shumë shpejt. “Unë besoj se brenda një periudhe shumë të shkurtër ne do kalojmë ligjin, i cili do t’i japë shumë paqe shoqërisë. Ishte Sigurimi i Shtetit, gestapoja shqiptare që mori ata djem të rinj, i lidhi me hekura, që i mori zvarrë rrugëve të Postribës, rrugëve të qytetit dhe, më pas, i vendosi te muri i pushkatimit, ne do ta bëjmë ligjin, sepse ne nuk mund të hyjmë në Europë pa pasur paqen. Natyrisht, duhet t’i zbulojmë disa gjëra, që duhet t’i themi të rëndësishme, siç është dënimi i komunizmit, që është gjëja më e rëndësishme pa u ndarë nga e kaluara dhe, ne do ta bëjmë atë me ligjin e pastërtisë së figurave dhe do bëjmë dhe shumë aktivitete të tjera. Në sallën e Parlamentit do të krijojmë një muze, do të jetë muzeu i krimeve të komunizmit dhe një muze tjetër me të, që do të jetë përbri atyre që luftuan dhe atyre që dhanë jetën për shpirtin e lirisë, për shpirtin e tyre perëndimor. Dhe unë ju premtoj që do t’i realizoj këto brenda këtij mandati”, - tha Topalli. Plot 62 vite më parë u vranë 21 burra e të rinj, dhe u pushkatuan 19 të tjerë, një prej të cilëve ishte edhe xhaxhai i kryetares së Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›