E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristopulli: Si e pashë Remziun në Vain

Ziso Kristopulli rrëfen para Gjykatës së Krimeve të Rënda torturat çnjerëzore dhe akuzat për rrëzimin e qeverisë demokratike

I rrëmbyeri rrëfen para Krimeve të Rënda përballjen e fundit me Remzi Hoxhën në godinën e SHIK-ut

TIRANË- Viktima e rrëmbimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Ziso Kristopulli, rrëfen për herë të parë para Gjykatës së Krimeve të Rënda torturat çnjerëzore kundër tij dhe Remzi Hoxhës. Paraditen e djeshme, rreth orës 9:12 minuta, Kristopulli hyri në sallën e gjyqit përtë dëshmuar tmerrin e përjetuar gjatë tre ditëve të izolimit të tij, në vilën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, në fund të tetorit 1995. Me të kaluar pragun e derës, Kristopulli filloi të kërkojë me sy të pandehurit, të cilët sipas prokurorisë më 18 tetor të vitit 1995 urdhëruan, shoqëruan dhe rrahën minoritarin grek. Pas leximit të formulës së betimit, Kristopulli me zë të dridhur filloi t’iu përgjigjej pyetjeve të prokurorit Xhevat Hana, duke rrëfyer të gjithë kronologjinë e ngjarjes, që nga dita e rrëmbimit, udhëtimit nga Ksamili në Vain të Lezhës, torturat dhe dhunën çnjerëzore të përjetuar nga agjentët e SHIK-ut dhe takimin vetëm me sy me Remzi Hoxhën dhe Avdyl Loshajn.

Sipas dëshmisë së tij, agjentët e SHIK-ut Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro, me urdhër të shefave të tyre kanë ushtruar dhunë kafshërore ndaj Kristopullit, Hoxhës dhe Loshajt, duke mos i kursyer nga shufrat e gomës, të drurit, litarin e lagur apo edhe metoda të tjera, duke e detyruar atë të pranojë se kishte planifikuar të vriste ministrin e Brendshëm, Agron Musaraj, të rrëzonte qeverinë demokratike me anë të armës dhe të sabotonte votimet për Kushtetutën e vitit 1994. ”Me datë 18 tetor 1995 pasdite, një efektivë i policisë së Sarandës më ka urdhëruar të hipi në makinën e katër personave që u paraqiten si inspektorë të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më pas rezultoi se ishin pjesëtarë të SHIK-ut...Gjatë rrugës për në Tiranë, kam biseduar me shefin e shoqëruesve, që ishte Avni Koldashi për arsyen e shoqërimit tim. Ai më tha që ka ndodhur një vrasje me shumë persona te Ura e Farkës dhe ty të ka dalë emri, e do të bëjmë ca verifikime dhe do të kthejmë mbrapsht”...

Sipas Kristopullit, rrugës makina ndërronte shpesh targa. Koldashi e solli në Tiranë dhe më pas në kthesën e Kamzës, i vendosën një thes në kokë. “Kur mbërritëm në Vain të Lezhës, Koldashi më hoqi thesin dhe më përshëndeti, duke më thënë se puna e tij mbaronte aty.Aty më morën persona të tjerë që më vendosën në një dhomë. Erdhi një person që më vonë e mësova se ishte Ilir Kumbaro që ushtroi dhunë ndaj meje, më pas edhe Budjon Meçe, një person rreth 120 kg më godiste me një urrejtje të papërshkruar. Fillimisht më godisnin në shputa të këmbëve e më pas në duar e brinjë, vetëm që të pranoj se jam pjesë e një grupi që do rrëzonim qeverinë bashkë me Remzi Hoxhën e Avdyl Loshajn. Në ditën e tretë të dhunës nuk munda të rezistoj dot dhe më detyruan t’i shikoja në një dhomë ngjitur Armando (Avdyl) Loshajn e Remzi Hoxhën. Këtë të fundit sapo e kishin sjellë në godinën e SHIK-ut”,-rrëfeu për trupin gjykues Ziso Kristopulli.

PËR KOLDASHIN

“I drejtohem Avni Koldashit, edhe pse nuk është këtu, se atë nuk e akuzoj për asgjë pasi është sjellë mirë me mua dhe nuk më ka rrahur apo goditur. Por kurrë nuk ia fal që më mashtroi se ishin inspektorë të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe vendosjen e thesit në kokë, pasi kjo ishte gjëja më e sikletshme që kam përjetuar në atë rrugë nga kthesa e Kamzës e deri në Vain të Lezhës”.

PËR KUMBARON

“Nuk ia fal atyre të dyve as në këtë botë e as në tjetrën për dhunën që kanë ushtruar ndaj një burri 40 vjeç dhe me peshë prej 50 kg. Ata ishin djem nga 120 e 100 kg dhe më godisnin pa shpirt dhe në mënyrë kafshërore. Dëmtimet e pësuara nga rrahjet e tyre edhe sot i rënkoj, pasi këmbët më dhëmbin për çdo ndërrim stine”

PËR SEFGJININ

“Nuk jam në gjendje ta përshkruaj me fjalë, por që kishte të njëjtën veshje me një javë para arrestimit tim, kur ka pirë birrë me mua dhe Beqir Tershollën në Ksamil. Ky person mund ta dijë se kush ka qenë ai atë ditë në Ksamil dhe më pas që erdhi në Vain dhe më rrahu. Kur Sefgjini është bërë Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit, doja ta takoja po nuk munda, pasi kisha një problemin tim.

Pas dhunës çnjerëzore, Ziso Kristopulli i është bindur SHIK-ut

Kristopulli: Mbusha 10 faqe me akuza për Remzi Hoxhën

TIRANË- Pas tre ditësh dhunë, Kristopulli është dorëzuar. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda pohoi dje se është detyruar të sajojë 10 faqe shkrim dore, për të akuzuar Armandon dhe Remziun se ishin pjesë e një organizate në armiqësi me pushtetin e kohës.“Në ditën e fundit të qëndrimit tim ka ardhur një person (aludon për Arben Sefgjinin, pa i përmendur emrin) i cili më pas më pyeti për njohjen që kisha më qëlloi me grusht e shqelm duke më thënë: “greku i m...për ty shkruajnë të gjithë gazetat”. Atë natë më liruan, duke më detyruar të firmosja letrat kundër Loshajt e Hoxhës dhe bëra një deklaratë për të mos folur përndryshe do të zhdukej edhe familja ime...Atë natë rreth orës 12:00 pas mesnatës më kanë dërguar te vajzat në qytetin Studenti, ku më lanë aty dhe më nuk më takuam, edhe pse më thanë që të bëhesha ushtari i tyre...20 ditë pasi jam liruar, asnjë mjek në Shqipëri nuk guxonte të më mjekonte dhe jam detyruar të iki në Greqi ku kam marrë mjekimet dhe kam shpëtuar...Ky rrëmbim më ka shkatërruar punën dhe shpërbërë familjen”-tha ndër të tjera Ziso Kristopulli, duke kërkuar drejtësi nga gjykata për vuajtjet e shkaktuara. Nexhmedin Hoxha: Presidenti i atëhershëm na tha të interesoheshim në SHIK

Letra e Berishës: Kërkojeni Remzi Hoxhën tek SHIK-u

TIRANË- Nexhmedin Hoxha, vëllai i biznesmenit kosovar të zhdukur këtu e 13 vite më parë, me kërkesë të prokurorisë dëshmoi dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vuajtjet e familjes në kërkim të gjetjes së trupit të Remzi Hoxhës. Sipas tij, që nga dita e rrëmbimit, më 21 tetor 1995 e deri sot nuk kanë lënë vend apo institucion pa i kërkuar ndihmë për gjetjen e vëllait të tyre. “Ndër përgjigjet që kemi marrë nga institucionet shtetërore në atë kohë është edhe një shkresë nga kabineti i Presidentit të Shqipërisë në atë kohë, Sali Berisha, i cili na sugjeroi që Remzi Hoxhën ta kërkojmë në institucionin e Shërbimit Informativ Kombëtar, por që kurrë nga ky institucion nuk kemi marrë përgjigje për fatin e vëllait tonë”,-tha Nexhmedin Hoxha para gjykatës. Sipas dëshmisë së tij, kjo shkresë ndodhet në dosjen e Prokurorisë pasi në kohën e marrjes në pyetje këtë shkresë zyrtare ia kishin dorëzuar organit të akuzës. Gjithashtu, edhe nga Prokuroria e Maqedonisë, sipas vëllait të Remziut, Nexhmedin Hoxhës, kanë marrë informacion zyrtar se “SHIK-u në Shqipëri nuk e ka rrëmbyer Remzi Hoxhën”. Ky informacion u është dërguar autoriteteve të Maqedonisë nga SHIK-u i Bashkim Gazidedes. F.Vezaj

KRISTOPULLI

Akuzat e SHIK-ut

“Jam detyruar të pranoj se kam kryer trafik armësh nga Mali i Zi, kam furnizuar Shkodrën, Elbasanin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën e Sarandën...akuzën e falsifikimit të referendumit për Kushtetutën në vitin 1994, ku vulën e paskam marrë nga agjentët serbë dhe kam mbushur kutitë e votimit kundër kësaj Kushtetute...dhe akuzën e atentatit kundër Agron Musarajt, ministrit të Brendshëm në Ksamil përballë lokalit tim, ku ai bënte plazh. Të gjitha këto i kisha kryer në bashkëpunim me Armando (Avdyl) Loshaj dhe Remzi Hoxhën. Këtë të dytin nuk e njihja fare deri ditën që e pashë në Vain të Lezhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›