Misri, Rama: Projektligj për dëmshpërblimin
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë publike dje nismën ligjore për zhdëmtimin financiar të të gjithë atyre fermerëve që janë prekur nga pasojat e skandalit me misrin “shterp”. Nëpërmjet një konference të posaçme për shtyp, kreu i selisë rozë, për të vërtetuar edhe seriozitetin me të cilin Partia Socialiste po e trajton këtë çështje, ka paraqitur projektligjin i cili ka për qëllim të dëmshpërblejë financiarisht dhe menjëherë, në masën 100 për qind të fitimit të pritshëm, të gjithë fermerët e dëmtuar nga përdorimi dhe kultivimi i farës së misrit të pacertifikuar.
Projektligji
Drafti i hartuar përmban 11 nene dhe në të parashikohen të gjitha hapat, që nga procedurat e evidentimit të dëmit, vetëdeklarimit të të gjithë të dëmtuarve, verifikimi në terren i masës së dëmit, si dhe shpërndarja e parave. Në nenin 2 të tij, përcaktohet se qëllimi i kësaj nisme është dëmshpërblimi financiar dhe menjëherë në masën 100% të fitimit të pritshëm të gjithë fermerët e dëmtuar, masa e të cilit do të jetë e barabartë me fitimin e pritshëm (fitimi i munguar), i cili llogaritet duke pasur parasysh, sasinë e farës së blerë, sasinë e tokës së mbjellë, shpenzimet e domosdoshme dhe të nevojshme për kultivim, si dhe rendimentin bujqësor të pritshëm sipas zonave ku fermerët kanë kultivuar këtë farë. Ndërkohë që evidentimi i dëmshpërblimit për çdo fermer të dëmtuar nga përdorimi dhe kultivimi i kësaj fare, do të kryhet nga vetë të dëmtuarit, nëpërmjet vetëdeklarimit dhe plotësimit të formularëve tip, brenda 15 ditëve nga shpallja e ligjit. Ky proces parashikohet që të ndiqet nga drejtoritë e Bujqësisë dhe Ushqimit, ku përfshihen njësitë e qeverisjes vendore, ku banon apo kultivon i dëmtuari. Në nenin 4, të këtij drafti, parashikohet gjithashtu që procedura për pagesën e dëmit të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që të dëmtuarit i lihet mundësia e ankimimit brenda 30 ditëve në rast se nuk është i kënaqur me vlerësimin që i është bërë prodhimit të tij të munguar.
Rama
Duke bërë prezantimin e këtij projektligji, kreu i selisë rozë ka shprehur keqardhjen e të gjithë socialistëve për indiferencën që po tregon qeveria ndaj një skandali të tillë, që është shkaktuar prej asaj vetë. Rama ka bërë të ditur se, në selinë rozë vijojnë të vijnë denoncime pa fund të rasteve të reja që evidentohen çdo ditë nga fermerët në të gjithë vendin. “Vetëm pasditen e djeshme, afro 100 telefonata nga Dibra, Elbasani, Fieri, Tirana, Kukësi dhe Berati, njerëzish të mbetur në mes të rrugës dhe pa bukën e gojës, të cilët janë viktimë e mungesës së ligjit dhe të kontrollit të atyre institucioneve shtetërore që duhet të garantojnë kontrollin e farërave dhe inputeve bujqësore, kanë ardhur në këto numra telefoni”,- tha Rama në fjalën e vet.