E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përmet, qendër e re për mbetjet – Investim i BE-së dhe Gjermanisë drejt ekonomisë qarkulluese

Në Përmet u inaugurua qendra e re e rikuperimit të materialeve të riciklueshme, financuar nga Bashkimi Evropian dhe partnerët gjermanë përmes GIZ. 

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se qendra do të grumbullojë, ndajë dhe shtypë plastika, letra dhe metale, duke i mbajtur larg landfilleve dhe lumenjve, dhe duke i rikthyer në ekonomi.

“Krijimi i operatorit të trajtimit të mbetjeve, krijon gjithashtu premisa për krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm impiantesh të trajtimit fundor të mbetjeve në të gjitha zonat e menaxhimit të mbetjeve në vend”, u shpreh Jaupaj.

Ky investim bën pjesë në programin “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme” dhe shërben si shembull bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë në rrugën drejt standardeve evropiane, pohoj me tej ministri Jaupaj.

“Investimi që shohim sot, është realizuar me mbështetjen e programit EPA për ekonominë qarkulluese dhe rritjen e gjelbër, financuar nga BE dhe qeveria shqiptare”, tha ai.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi se ky investim tregon se si bashkëpunimi mes komuniteteve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të sjellë ndryshim real, duke krijuar mundësi ekonomike dhe mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Bashkia e Përmetit grumbullon rreth 1,700 tonë mbetje në vit, por vetëm një e treta e tyre riciklohet. Qendra e re synon të rrisë ndjeshëm kapacitetin e riciklimit dhe të mbështesë komunitetin në përfitime ekonomike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›