E Diel, 1 Nëntor 2026

Xherard, kapiteni i kujdesshëm: Euforia nuk na shërben për të eliminuar Interin

Stiven Xherard u ka bërë thirrje shokëve të skuadrës të kenë kujdes nga Interi në ndeshjen e vlefshme të Ligës së Kampioneve që do të luhet sot. "Të kuqtë" udhëtojnë drejt Italisë me avantazhin e dy golave të shënuar në ndeshjen e parë dhe vetëm një humbje më e thellë mund të sjellë eliminimin e tyre nga Liga e Kampioneve. Për të shmangur një gjë të tillë, Xherard u ka bërë thirrje shokëve të shfaqen të kujdesshëm që nga minuta e parë e ndeshjes. "Interi është një skuadër e madhe dhe ne e dimë mirë se do të jetë e vështirë të sigurojmë kualifikimin në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Ndoshta ne do të na duhet të dhurojmë ndeshjen më të mirë të sezonit për ta arritur këtë kualifikim të rëndësishëm. Na duhet një paraqitje e shkëlqyer me çdo futbollist që lufton për çdo top, për t‘u treguar të gjithëve dëshirën dhe vendosmërinë tonë për të kaluar në çerekfinalet e turneut", u shpreh kapiteni i Liverpulit. Sipas Xherard, skuadra duhet ta mendojë ndeshjen e barabartë që nga minuta e parë, për të mos u shpërqendruar nga avantazhi i dy golave të shënuar në Angli. "Padyshim që ne mund të marrim si shembull takimin e parë, por nuk duhet të zbresim në fushë, duke menduar se kemi një avantazh prej dy golash. Ne po shkojmë drejt kësaj ndeshjeje me mendimin se do të luajmë me rezultatin 0-0, ku na duhet të prodhojmë një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer evropiane për të kaluar turin. Nëse ne shkojmë atje për të luajtur në mbrojtje, do të marrim pjesë në një ndeshje shumë të rrezikshme, gjë që nuk mund t‘ia lejojmë vetes. Nëse ne presim të tërhequr dhe ata gjejnë një gol me fat apo një vendim në favor të tyre, gjërat mund të komplikohen. Ndaj është e rëndësishme që ta shohim pozitivisht këtë sfidë, të mundohemi të marrim kontrollin e lojës dhe të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen. Jam i bindur se mund ta bëjmë një gjë të tillë. Ata janë një skuadër e madhe, por ne e shohim veten në të njëjtin nivel. Ne kemi një ecuri mjaft të mirë në ndeshjet jashtë fushe në Evropë dhe nëse luajmë në maksimumin e mundësive tona, atëherë ne kthehemi në një skuadër shumë të vështirë për t‘u mundur. Ne dëshirojmë me çdo kusht të jemi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe e dimë që do t‘u japim një sinjal të fortë të gjithë kundërshtarëve nëse eliminojmë kampionët e Italisë", deklaroi kapiteni i Liverpulit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›