MEPJ ftesë bizneseve të regjistrohen në Samitin e IV të Diasporës

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme fton të gjitha bizneset shqiptare të regjistrohen për të marrë pjesë në sesionet B2B (Business-to-Business) në kuadër të Samitit të IV të Diasporës që do t ëmbahet më 13-15 prill në Tiranë.
MEPJ bën të ditur se, ky aktivitet synon të forcojë lidhjet ndërmjet sipërmarrjes vendase dhe potencialit të jashtëzakonshëm të bizneseve shqiptare në diasporë.
Ftesa është e hapur për të gjitha bizneset, përfshirë: prodhues dhe eksportues me fokus tregjet ndërkombëtare, SME dhe startup që kërkojnë investitorë dhe partnerë strategjikë, sektorin HORECA dhe turizmin, agrobiznesin dhe teknologjinë, si dhe çdo biznes tjetër që synon bashkëpunimin me diasporën.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime direkte me biznesmenë të suksesshëm shqiptarë nga diaspora, të cilët operojnë në tregje globale dhe janë të gatshëm të investojnë dhe të krijojnë partneritete që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Bizneset e interesuara mund të regjistrohen dhe të rezervojnë takimet B2B përmes linkut: https://albaniandiasporasummit.b2balkan.com.
/gj.m/j.p/