E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja përgënjeshtron lajmet: Në Finiq po kryhen vetëm punime të miratuara restaurimi

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një reagimi publik, ka përgënjeshtruar lajmet e qarkulluara mbi praninë e personave të panjohur që dyshohet se po kryejnë gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Finiqit.

Sipas ministrit, pretendimet janë të pavërteta dhe përbëjnë keqinformim mbi një proces tërësisht të ligjshëm restaurimi dhe konsolidimi. Aktualisht në park po vijojnë punimet e miratuara dhe të mbikëqyrura nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, si pjesë e projektit “Restaurimi dhe konsolidimi i Murit të Bastionit në Parkun Arkeologjik të Finiqit”. Punimet po kryhen nga kompania kontraktuese “JOGI” sh.p.k., në bazë të vendimit nr. 206, datë 09.04.2021, i rimiratuar me vendimin nr. 398, datë 25.07.2025 të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

“Pas disa vitesh pritje, ky projekt i rëndësishëm po hyn më në fund në fazën e zbatimit konkret, duke shënuar një hap të domosdoshëm për ruajtjen dhe valorizimin e një prej monumenteve më përfaqësuese të antikitetit në jug të vendit. Ndërhyrjet synojnë stabilizimin afatgjatë të strukturës, ruajtjen e autenticitetit të murit mbrojtës dhe rritjen e sigurisë së vizitorëve, duke mundësuar një përvojë më cilësore kulturore e turistike në Finiq”, thuhet në njoftim.

Punimet përfshijnë pastrimin e sipërfaqeve dhe të bimësisë, kryerjen e sondazheve për verifikimin e themeleve, ndërtimin e sistemit të drenazhimit, konsolidimin me shufra inoksi, si dhe rivendosjen në pozicion të gurëve ciklopikë të rrëzuar, me peshë 1.8–2.2 ton secili.

Gonxhja sqaron se për shkak të peshës së rëndë të këtyre gurëve, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, të cilat janë plotësisht në përputhje me normat e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht prezenca e këtyre mjeteve është keqinterpretuar si proces gërmimi i paligjshëm, ndërkohë që ato janë pjesë e dokumentuar e restaurimit.

Ministri bëri të ditur se projekti ka arritur në 80% të realizimit, duke garantuar stabilitetin afatgjatë të Murit të Bastionit, sigurinë e vizitorëve dhe ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në vend.

Në përmbyllje, Gonxhja bëri thirrje që mediat dhe publiku të verifikojnë informacionet pranë institucioneve përgjegjëse përpara publikimit, në mënyrë që të shmanget shpërndarja e lajmeve të pasakta që ndikojnë negativisht në perceptimin publik për punën në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.


/e.i/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›