Noka përplaset me qytetarët në një qendër votimi në Vorë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Një incident është shënuar sot në një nga Qendrat e Votimit në bashkinë e Vorës ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili shoqërohej edhe nga Albana Vokshi, është përplasur me qytetarët.
Noka akuzoi banorët se po ndërhynin në procesin zgjedhor, ndërsa debati mes tyre vijoi edhe brenda Qendrës së Votimit. Në videon e publikuar nga mediet vizive shihet teksa Noka i drejtohet qytetarit me shprehje si “do të të zvarris”, kurse qytetari i thotë “pranoni humbjen”.
Sipas Nokës personat që qëndronin brenda Qendrave të Votimit ishin të paautorizuar si dhe të lidhur me pushtetin.
“Për të sqaruar opinionin personi që u hoq si qytetar dhe që mediet e regjimit e shitën si qytetar është shoferi i Albert Xhabaftit, tjetri ishte shoqërues i tij. Dua të denoncoj… keni parë ndonjë polic këtu, ku është SPAK? Ka dy orë që ka ndodhur ngjarja, e gjithë banda e Xhabaftit është e pajisur me bexhat e KQZ. Ashtu siç e do ligji, 150 metra nuk duhet të shkelë asnjë. Horrat e Xhabaftëve, që vijnë këtu dhe mendojnë se mund të trembin qytetarët, ta harrojnë. Do të zvarriten qelive nga i pari, te i fundit. Ta harrojnë se mund të guxojë të prekin votën këtu”, tha ai.
Nga ana tjetër qytetarët e kanë quajtur mashtrues, ndërsa njëri prej tyre i tha Nokës se ka dërguar njerëz në shtëpinë e tij.
Në lidhje me incidentin drejtuesi i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka publikuar një video nga momenti i përplasjes së Nokës me qytetarët në Vorë.
“Nul Moka dhe Albana e Saliut provokojnë zgjedhësit në Vorë, por populli nuk të fal”, shkruan Balla krahas videos.
/m.q/ /a.g/