Minatorët e Tiranës: Nuk do marrim më as serume
Tiranë- Minatorët grevistë në Tiranë kanë kërcënuar sot se nuk do të marrin më as serume. Ata kanë deklaruar se janë të gatshëm të vetëflijohen, deri në plotësimin e kërkesave, ndërkohë që kanë kërkuar vëmendjen e qeverisë, e cila deri më tani nuk është interesuar fare për ta.
Ndërprerjen e serumeve ata e cilësojnë një shenjë të hapur të rebelitimit të tyre ndaj indiferencës së pushtetarëve. Vetëm tre ditë më parë ata vendosën të ndërpresin marrjen e lëngjeve, duke përfshirë edhe ujin.
Sot greva e minatorëve të Tiranës ka hyrë në ditën e saj të 15-të dhe sipas kryetarit të sindikatës, gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar shumë dhe nuk dihet se sa gjatë mund të rezistojnë.
Por ata janë shprehur të vendosur për të vazhduar atë që e kanë quajtur “greva e vdekjes” dhe nuk kanë ndërmend të dalin pa iu plotësuar kërkesat.
Kërkesat kryesore janë rritja e pensionit dhe ulja e moshës së daljes në pension, pasi me moshën aktuale shumica nuk arrijnë ta gëzojnë pensionin.
Me grevën e minatorëve në Tiranë janë solidarizuar edhe ata në rrethe, ndërkohë që edhe në Prrenjas vijon greva e urisë.