HUNGARI – Orban: Trump i ka ofruar botës shpresën për një jetë normale dhe për paqe

BUDAPEST, 29 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri hungarez, Viktor Orban e përshkroi sot presidencën e Donald Trump si “një pikë kthese të vërtetë qytetëruese” – gjatë një konference ndërkombëtare të populistëve të krahut të djathtë dhe mbështetësve të Rusisë.
“Ne nuk do të mbytemi në një det ‘zgjimi’, emigrantët nuk do të na pushtojnë, Donald Trump i ka ofruar botës, shpresën për një jetë normale dhe për paqe”, tha Orban në fjalimin e tij në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, në Budapest.
Trump dërgoi një video mirëseardhjeje në këtë ngjarje, të regjistruar në Zyrën Ovale. Ai e vlerësoi Orban si një njeri të madh që respektohet shumë nga të gjithë.
“Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në udhëheqje dhe është një person shumë i veçantë”, shtoi Trump.
Folës të tjerë në konferencën dyditore përfshijnë udhëheqësen e Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë, Alice Weidel, kreun e Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë të Austrisë, Herbert Kickl, kryeministrin sllovak, Robert Fico dhe kryeministrin gjeorgjian, Irakli Kobachidze.
Orban e ka qeverisur Hungarinë me metoda gjithnjë e më autoritare që nga viti 2010.
Ai ka mbështetur vazhdimisht zbutjen e sanksioneve të BE-së ndaj Moskës dhe ka penguar mbështetjen e bllokut për Ukrainën – në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus në shkallë të plotë. //a.i/