Mateus: Inter, fito Champions për 100-vjetorin
Në pritje të licencës së trajnerit, Lotar Mateus po vazhdon kursin në Këln. Në maj, ish-kapiteni i Gjermanisë (kampion në Botërorin 1990) pritet të marrë dëshminë dhe të gjejë një skuadër, por ndërkohë nuk humbet rastin të flasë për Interin. Dominimi i zikaltërve në Serinë A nuk vihet në dyshim, por, sipas Mateus, tashmë skuadra duhet të synojë për triumfin në Ligën e Kampioneve. Trofe që mund të shërbejë si dhuratë për 100-vjetorin e klubit. "Masimo Morati është një president i pasionuar dhe shumë i pasur. Me pasion dhe para mund të krijosh një skuadër të madhe", tha ai. "Interi është mes shtatë skuadrave që mund të fitojnë Champions-in. Të tjerat janë Milani, Reali, Barcelona, Arsenali, Çelsi dhe Mançester Junajtid. Zikaltrit kanë shansin të bëjnë një goditje të madhe: ta fitojnë këtë trofe prestigjioz në vitin 2008, për të festuar në mënyrën më të mirë 100-vjetorin e themelimit të klubit". Por, sipas Mateus, futbolli më i mirë luhet në Angli, pasi aty qarkullojnë edhe më shumë të ardhura.