E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoze Murinjo: Një afrikane në gjysmëfinale të Botërorit

Ish-trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, është i bindur se një skuadër afrikane mund të arrijë në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të vitit 2010, që zhvillohet në Afrikën e Jugut. "Në Kupën e Afrikës ne kemi parë dy gjysmëfinale madhështore. Niveli i lojës është i mirë dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur e sheh se shumë nga këto skuadra kanë shumë lojtarë që luajnë në nivele të larta në Evropë", u shpreh dje Murinjo para gazetarëve në Ganë, ku ka shkuar për të ndjekur finalen e këtij aktiviteti. "Ka pasur shumë ngjyra, turma entuziaste dhe atmosferë pozitive. Më vjen keq që Gana dhe Bregu i Fildishtë nuk janë në finale, por kjo është e bukura e kësaj loje. Por tani Afrika është gati për hapin tjetër të rëndësishëm. Me këtë unë nuk nënkuptoj fitoren e Kampionatit Botëror, pasi do të ishte shumë drastike. Por një skuadër afrikane mund të mbërrijë në çerekfinale ose në gjysmëfinale", deklaroi tekniku portugez. Kameruni dhe Senegali janë dy skuadrat e vetme afrikane, të cilat deri tani kanë arritur në çerekfinalet e Kupës së Botës. Kamerunasit u mundën nga Anglia në çerekfinalet e Kupës së Botës së vitit 1990 në Itali, ndërsa senegalezët nga Turqia në Botërorin e vitit 2002 në Kore dhe Japoni. Murinjo ka shfrytëzuar përsëri rastin për të qartësuar se nuk dëshiron të vihet në drejtimin e ndonjë kombëtareje, qoftë kjo në Evropë, Afrikë apo Amerikën Latine. "Unë nuk po interesohem për një kombëtare, pasi më pëlqen më shumë të punoj çdo ditë, të përfshihem në dy-tri ndeshje gjatë javës", deklaroi ish-trajneri portugez i Çelsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›