Segolene Royal kërkon kreun e Partisë Socialiste
Ish-kandidatja socialiste në zgjedhjet presidenciale të Francës, Segolen Royal, shprehu dje vullnetin e saj për të vënë kandidaturën në vitin 2008, për postin e sekretarit të parë të Partisë Socialiste (PS), thellësisht e ndarë, të cilën ajo dëshiron ta "rinovojë" dhe ta "bashkojë" rreth "ofertës së saj politike". "Mendoj t‘i shkoj deri në fund asaj që kam filluar gjatë fushatës presidenciale për të rinovuar të majtën dhe për të bashkuar socialistët në këtë ofertë politike", deklaroi Royal në stacionin televiziv "France 2", e pyetur lidhur me zëvendësimin e parashikuar para fundit të vitit 2008 të sekretarit të parë aktual të PS-së, ish-partnerit të saj, Fransua Hollande. Marrja e drejtimit të PS-së do ta vinte Segolene Royal në një pozicion që detyrimisht të çon në paraqitjen e kandidaturës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Me gjithë humbjen e saj të thellë majin e kaluar përballë Nikolas Sarkozisë, ajo mund të mburret me 17 milionë votat edhe në se ajo, sipas të gjitha sondazheve, mbetet më popullore midis simpatizantëve të së majtës se sa midis anëtarëve të PS-së. Një nga konkurrentët e saj më seriozë për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste, ish-ministri i Financave, Dominik Straus-Kahn, u tërhoq nga gara pasi u zgjodh drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Por Royalit do t‘i duhet të përballet edhe me ambiciet e kryetarit të Bashkisë së Parisit, Bertrand Deleno, që gëzon popullaritet të madh, ndërkohë që partia e tij po kalon një krizë të mprehtë identiteti dhe lidershipi.