Në Ajoua, atje ku nis vrapi drejt Shtëpisë së Bardhë
Është më i vjetër, më i shkolluar dhe më i bardhë se çdo shtet tjetër i Amerikës, ndërsa ndikimi që ka në zgjedhjet presidenciale amerikane i tejkalon përmasat gjeografike të tij. Zgjedhjet për nominimin presidencial në Ajoua do të jenë kapitulli i fundit i një rituali të gjatë. Së bashku me Nju Hempshajërin e vogël, i cili i zhvillon i dyti zgjedhjet për nominimin presidencial, këto dy shtete bëhen filtrat e parë që veçojnë kandidatët humbës dhe që u japin krahë atyre që do të vazhdojnë garën për të fituar nominimin nga partia e tyre për betejën presidenciale në muajin nëntor. Përgjatë viteve, kandidatë të panumërt kanë sfiduar dëborën dhe të ftohtin e hidhur të dimrit të Ajouas-s për të shtrënguar duart nëpër darka e takime, për të biseduar me zgjedhësit në bashki, kisha dhe shtëpi. Sharmi i këtij shteti qëndron te natyra e fushatës. Votuesit e saj të mençur kërkojnë më shumë se një reklamë goditëse 30-sekondëshe. Ata duan t‘i shikojnë kandidatët në sy dhe t‘u bëjnë pyetje direkte. "Njerëzit këtu e kanë normë takimin me kandidatët dhe ndjekin rrugën e tyre për të bërë zgjedhje të mençura", tha Rik Rouson, një pronar dyqani në Amana. "Banorët e Ajoua-s e marrin shumë-shumë seriozisht këtë proces". Shtetet e tjera janë përpjekur ta sulmojnë garën e kandidimit presidencial të Ajoua-s, me justifikimin se ajo është e dominuar nga të bardhët dhe popullsia rurale e saj nuk mund të jetë një shembull përfaqësimi. Sipas shifrave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2006, 93 për qind e banorëve të Ajoua-s janë të bardhë, kundrejt 74 për qind në shkallë kombëtare. Dy për qind janë afro-amerikanë, katër për qind hispanikë, kundrejt respektivisht 12 dhe 15 për qind në shkallë kombëtare. Ajoua ka gjithashtu përqindje më të lartë të të diplomuarve dhe një përqindje pak më të lartë të banorëve mbi moshën 65 vjeç, krahasuar me shifrat në nivel kombëtar. Mbrojtësit e Ajoua-s thonë se kritikët e saj anashkalojnë faktin që shtetet më të mëdha kërkojnë buxhete gjigande. "Shtete si Florida, Miçigani dhe Kalifornia nuk zhvillojnë të njëjtën politikë në terren dhe nuk aplikojnë përballjet personale me zgjedhësit. Ata janë shumë të mëdhenj", thotë Stiv Roberts, një anëtar i Komitetit Kombëtar Republikan nga Ajoua. "Ajoua mund të mos jetë e larmishme për sa u përket minoriteteve, por ne kemi dy parti të suksesshme dhe qytetarët u kushtojnë vëmendje. Është diçka që ka funksionuar", tha ai. Në gjërat më të rëndësishme, Ajoua nuk ndryshon aspak nga pjesa tjetër e vendit, thotë Peverill Squire, analist politik në universitetin e Ajoua-s. "Në qoftë se shikoni nga çështjet nxitëse për qytetarët - lufta në Irak, kujdesi shëndetësor, problemet ekonomike - shqetësimet e qytetarëve të Ajoua-s janë të njëjta me të amerikanëve të tjerë", thotë ai. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, Ajoua ka ndryshuar pozicion duke mbështetur fuqishëm demokratin Al Gore në vitin 2000 dhe republikanin Xhorxh Bush në vitin 2004. Në zgjedhjet për nominimit demokrat të vitit 2004 në Ajoua morën pjesë 120 mijë votues, republikanët nuk zhvilluan zgjedhje primare, sepse Bushi nuk kishte rival brenda partisë. Këtë vit do të zhvillojnë garën primare të dyja partitë. Rituali, që nisi 36 më parë, kërkon që votuesit të mblidhen bashkë me fqinjët natën e zgjedhjeve dhe të deklarojnë publikisht se cilin kandidat përkrahin. Nga kandidatët kërkohen përpjekje të mëdha për të identifikuar përkrahësit dhe të marrin garancitë se ata do të shkojnë në votim. Ironikisht, shuplaka e Ajoua-s mund të bëhet më e fortë këtë vit, nisur nga kalendari i ngjeshur i votimeve për nominim. Me kaq shumë gara në shtetet e tjera, kandidatët nuk do të kenë kohë ta marrin veten pas një rezultati të dobët në Ajoua. "Ajoua vendos gjithçka" është kthyer në formulën e shenjtë të çdo kandidati kryesor. Përjashtim të dukshëm bën kandidati republikan Rudi Xhuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, i cili e ka përqendruar fushatën e tij në qytetet e mëdha, të cilat i zhvillojnë zgjedhjet një muaj pas Ajoua-s dhe senatori republikan i Arizonës, Xhon MekKein, i cili është përqendruar në Nju Hempshajër. Republikanët Mitt Romney, ish-guvernator i Masaçusetts dhe Mike Hukabee, ish-guvernator i Arkansasit, po luftojnë për një fitore që do t‘i katapultonte ata në fitore të tjera në Nju Hempshajër, Karolinën e Jugut dhe më tej. Mes demokratëve, sondazhet tregojnë një betejë treshe mes senatores së Nju Jorkut, Hillari Klinton, senatorit të Illinois-it, Barak Obama dhe ish-senatorit të Karolinës së Veriut, John Eduards.