Serbia dhe shanset e transformimit të rajonit
Fitorja e Boris Tadiç në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, ndonëse me një diferencë shumë të ngushtë nga rivali radikal Tomislav Nikoliç, është padyshim një ogur i mirë për të gjithë mendjet reformatore dhe proevropiane në rajonin e Ballkanit. Për Serbinë dhe rajonin tonë, më shumë se sa fitorja, rëndësi do të ketë mënyra se si Tadiç dhe mendjet proevropiane në Serbi do të administrojnë besimin e qytetarëve serbë.
Në mënyrë të përmbledhur do të rendisja këtu si vendimtare për ndryshimin e kursit aktual të Serbisë ndarjen me fjalë dhe vepra nga e kaluara e hidhur millosheviçiane, që nënkupton, para së gjithash, axhustimin e Serbisë së sotme me realitetin e ri gjeopolitik në rajon, duke pranuar një Kosovë demokratike të pavarur, fqinje e bashkudhëtare për në Bashkimin Evropian dhe NATO. E në të njëjtën kohë, duke marrë përsipër me kurajo përgjegjësitë e Serbisë në lidhje me spastrimet etnike në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë nga Presidenti Tadiç pritet një impuls i ndryshëm i bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Ndryshimi rrënjësor i kursit të politikës serbe, në fakt, do të ishte zhvillimi më pozitiv i mundshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në procesin e transformimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Ndaj, ne nuk duhet ta shohim aspak me xhelozi. Dëshmia më e pakundërshtueshme e këtij realiteti është deklarata e ministrit francez të Çështjeve Evropiane, Jean-Pierre Jouyet, i cili e përshkruan Serbinë si një "pol stabiliteti" për të gjithë rajonin.
Në një lëvizje të paprecedentë, qysh nga koha kur Greqia iu bashkëngjit Komunitetit Evropian, Këshilli i Ministrave të BE-së, në mbledhjen e datës 28 janar 2008, zyrtarizoi ofertën për një Marrëveshje Politike të Bashkëpunimit me Serbinë, e cila pritet të nënshkruhet nga palët me 7 shkurt 2008. Marrëveshja parashikon fillimin e dialogut për heqjen e regjimit të vizave me Serbinë, mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, sikundër rritjen e numrit të studentëve serbë që dëshirojnë të studiojnë në BE.
Me gjithë ofertën bujare, BE-ja është treguar e kujdesshme të nënvizojë se, aksi përmes të cilit mbështetet integrimi evropian i Serbisë do të vazhdojë të mbetet Procesi i Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit si instrumenti kryesor i saj. Por, nënshkrimi ose jo i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ka ndarë në mes politikën serbe dhe vendet anëtare të BE-së, një pjesë e të cilave ngulmojnë në arsyetimin se çdo vendim i BE-së në lidhje me firmosjen e MSA-së me Serbinë duhet të lexohet në raport të drejtë me bashkëpunimin e kësaj të fundit me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në mënyrë instiktive, kjo ofertë e BE-së ka ngjallur jo pak reagime në rajon, kur dihet se Maqedonia ka fituar që në nëntorin e vitit 2005 statusin e kandidatit, por ende nuk po merr dot një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, apo Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët kanë nënshkruar MSA-në me BE-në, respektivisht në 2006-ën dhe 2007-ën. Në të vërtetë, firmosja e Marrëveshjes Politike të Bashkëpunimit me Serbinë dhe deklarimi i komisionerit për Zgjerimin, Oli Rehn, se "Serbia mund të fitojë statusin e vendit kandidat brenda vitit 2008", dëshmojnë qartazi për një devijim nga rregulli i përgjithshëm i negociimit me BE-në, pa data dhe afate të fiksuara. Deklarata e mësipërme e komisionerit Rehn dhe oferta e BE-së ndaj Serbisë, duhet të shfrytëzohet me mençuri nga qeveria shqiptare, e cila, për fat të keq, ende nuk po bën publike një ambicie politike dhe plan veprimi në funksion të fitimit të statusit të vendit kandidat, përthithjes së ndihmës së para-aderimit, që do të mundësonte realisht transformimin e vendit dhe zbatimin e axhendës integruese në BE dhe heqjes së regjimit të vizave, një veprim ky aq shumë i dëshiruar nga qytetarët shqiptarë.
Ndërkohë që më 28 janar 2007, Këshilli i Ministrave të BE-së përshëndeti objektivin e Komisionit Evropian për të filluar dialogun për heqjen e regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveria shqiptare, jo vetëm nuk paraqiti një plan veprimi para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të demonstruar vullnetin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara për heqjen e regjimit të vizave, por as nuk mori mundimin të përshëndesë diplomatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së.
Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së marrin shkas nga një komunikatë konfidenciale e përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit e Komisionit Evropian drejtuar vendeve anëtare të BE-së, e cila pritet të bëhet publike në fund të muajit mars. Sipas komunikatës, komisioni synon që brenda korrikut të vitit 2008 të mbyllë negociatat me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në bazë të tyre të përcaktojë një udhërrëfyes, përmes të cilit duhet të kalojnë të gjitha vendet bazuar në meritën e tyre individuale. Kjo do të thotë, se çdo vendim i ardhshëm për heqjen e regjimit të vizave do të merret mbi bazën e arritjeve të standardeve në fushat e lidhura ngushtësisht me politikën e vizave.
Në mënyrë që të shfrytëzojmë realitetin post-Serbi, së pari na nevojitet të kemi një debat publik serioz në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Debat, i cili duhet të ketë si rezultante, bërjen publike të objektivave nga ana e qeverisë shqiptare dhe jo të jemi thjeshtë konsumatorë inaktivë të produkteve të gatshme që na ofrohen nga BE-ja. Politika e pritjes duhet të zëvendësohet me bërjen publike të objektivave, të cilat shoqërohen gjithnjë me risk, për shkak të mundësisë ose jo të realizimit. Por, në rast se qeveria shqiptare nuk e bën një gjë të tillë, objektivi mund të mos arrihet kurrë.
Nga eksperienca e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, gjykoj se ne duhet të përgatitemi së paku për një revolucion të vërtetë administrativ, për një proces konvergimi ekonomik e social dhe një ndryshim thelbësor të konceptit të qeverisjes demokratike. Revolucioni administrativ duhet të fillojë me shklientelizmin, çmilitantizmin, ligjshmërinë e funksionimit dhe aftësimit të administratës publike për të ofruar shërbime dhe hartuar politika në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja, si pasqyrim i standardeve evropiane. Pra, për të filluar procesin e ndërtimit të një administrate publike shërbëtore ndaj interesave të vendit.
Konvergimi ekonomik dhe social është një proces i vështirë, që kërkon kohë dhe merr frymëzim nga objektivit i Traktatit të Mastrihtit në lidhje me "zvogëlimin e diferencave ndërmjet niveleve të zhvillimit të rajoneve të ndryshme". Zhvillimi rajonal dhe rural, në funksion të asistencës së BE-së për rajonet më të prapambetura, zë peshën kryesore të ndihmës komunitare. Por, duhet treguar kujdes, pasi nuk mund të heqim paralele ndërmjet ndihmës komunitare dhe një thesi, ku, gjithsecili, mund të fusë dorën e të marrë diçka pa e vrarë mendjen. Në të kundërt, nevojitet një strukturë e mirëfilltë kapilare në nivel qendror dhe vendor të qeverisjes, që përthith dhe administron ndihmën komunitare në mënyrë të decentralizuar.
Mjafton të shikojmë zhvillimin e Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë në momentin që morën statusin e vendit kandidat për të kuptuar karakterin e ndryshëm të ndihmës komunitare, në momentin që vendi fiton statusin kandidat. Kjo, pasi natyra e ndihmës komunitare përqendrohet pikërisht në mbështetjen e objektivave afatgjatë të konvergjencës ekonomike dhe sociale të vendit, që synon anëtarësimin në BE me mesataren e vetë BE-së. Krahas strukturës administruese të ndihmës komunitare, nevojitet një planifikim strategjik më i mirë, që ka si qendër graviteti fusha të rëndësishme për zhvillimin dhe transformimin e vendit të tilla si bujqësia dhe zhvillimi rural, transporti, infrastruktura dhe mjedisi.
Elementi i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me ndryshimin e konceptit të qeverisjes, i cili do të duhet të ndryshojë si pasojë e kombinimit të efekteve që vijnë nga revolucioni administrativ dhe rigjenerimi i politikave kombëtare zhvillimore të vendit. Transformimi i vendit nuk mund të konceptohet më si një ushtrim rutinor i kompetencave të ekzekutivit, por duhet të ravijëzohet përmes ndërtimit gradual të një mekanizmi dialogu me partnerët socialë dhe shoqërinë civile, duke rritur pjesëmarrjen dhe zërin e aktorëve të tillë në procesin politikëbërës.