Ahtisari: Stop strukturave paralele në veri të Kosovës
Ish i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, deklaroi se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë krijimin e strukturave në Kosovë, që bien ndesh me planin e tij.
Ai tha se shpreson që pas qartësimit të statusit të Kosovës, çdokush në rajon do të sillet me përgjegjësi. Ahtisari ka shfaqur besimin e tij se fryma, siç e ka cilësuar, nacionaliste, do të marrë fund edhe në Serbi. Ish-presidenti finlandez, në një intervistë për BBC-në, të parën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, deklaroi se nuk ka më kthim në të kaluarën dhe se të gjithë në rajon duhet të sillen me përgjegjësi. Ai ka thënë se protestat e dhunshme në Beograd shënojnë fundin e rrëfimit dhe ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojë krijimin e asnjë strukture paralele kudo qoftë në Kosovë. "Ajo që kemi parë në veri është shqetësuese, por unë nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të lejojë krijimin e çfarëdo strukture kudo qoftë në Kosovë që shkon kundër frymës së planit". "Dhe këtu është përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë qeverinë, nëse kjo vërtet ndodh. Unë shpresoj gjithashtu, se kjo frymë nacionaliste do të përfundojë edhe në Serbi", tha zoti Ahtisari në intervistën dhënë BBC-së. Ish i dërguari i posaçëm për statusin e Kosovës, shtoi se udhëheqja politike në Beograd ka qenë në dijeni të rezultatit përfundimtar për statusin e Kosovës, që në fillim të vitit 2006, pak kohë para se të nisnin bisedimet për statusin. Por, ka thënë ai, udhëheqja serbe e ka keqinformuar opinionin publik në Serbi. Ahtisari ka shfaqur shpresën se do të ketë një ndikim pozitiv nga Rusia që Serbia të fillojë të sillet më me përgjegjësi. Plani "Ahtisari", që ka filluar të miratohet në Kuvendin e Kosovës, në formë ligjesh, ka qenë kushti që udhëheqësve kosovarë u është shtruar për ta shpallur pavarësinë e Kosovës.