Digjet banesa e emigrantit, shoqërohet kushëriri
Një shtëpi e pabanuar në fshatin Radostinë Fasko të Rrethit Fier është shkrumbuar plotësisht dje. Ajo ishte pronë e Neritan Drizës, një emigranti, i cili kthehej në fshat vetëm në sezone pushimesh dhe mendohet se është djegur me dashje nga të afërm të pronarit. Për banesën kujdesej kunati i tij, Astrit Kallashi, dhe vëllai i tij, Ymer Driza, të cilët shkonin dhe e shikonin herë pas here atë. Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësit për zjarrin mbrëmjen e së premtes. Një makinë zjarrfikëse ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por nuk ka mundur të shpëtojë asgjë veç dy kolltukëve. Të afërmit e emigrantit, të cilët kujdeseshin për shtëpinë, pohojnë për gazetën "Shqip" se banesa është djegur nga dikush, pasi nuk ka asnjë mundësi që zjarri të ketë rënë vetvetiu. Edhe ekspertët e Policisë së Fierit konfirmuan se në banesën e djegur ishte shkëputur prej kohësh energjia elektrike, çka përjashton rënien e zjarrit për shkak të ndonjë luhatjeje të tensionit. Të afërmit e pronarit të shtëpisë së djegur kanë edhe dyshimet e tyre për zjarrvënësit, ndërkohë që tregojnë se e njëjta shtëpi është vjedhur disa herë. "Tri herë është vjedhur kjo shtëpi, ndërsa policia nuk ka gjetur asnjë autor", thotë Astrit Kallashi, kunati i pronarit të shtëpisë së djegur. Ndërkohë, për djegien, policia ka hedhur pistën e zjarrvënies me dashje dhe ka shoqëruar si të dyshuar shtetasin Xhaferr Driza, 52 vjeç, i afërm i emigrantit.
"Dëmi i shkaktuar prej zjarrit shkon deri në 3,5 milionë lekë",- pohojnë të afërmit e të dëmtuarit për gazetën. Ata sqarojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Flakët janë parë në fillim në dhomën e ndenjjes, ndërkohë që të gjitha orenditë e shtëpisë kanë qenë të grumbulluara në dy dhomat e tjera.