KSHZ: Procesi i rivotimit po zhvillohet i qetë
KSHZ njoftoi se procesi i rivotimit në Maqedoni po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente, përveç në vendvotimin 2445 në fshatin Bojanë të Shkupit në të cilin një person ka hyrë dhe i ka hedhur fletëvotimet.
Sipas KSHZ-së dëri në ora 13:00 kanë votuar 25, 64 për qind e votuesve. Nga 14 551 qytetarë, të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 3731 persona.
Në Maqedoni sot niswn rivotimet në 15 qendra votimi, në njësinë e parë dhe të gjashtë zgjedhore.
Rivotimet po zhvillohen në komunat e Sarajit, Tetovës, Gostivarit, Bërvenicës dhe Zhelinës, ku u regjistruan parregullësi gjatë rivotimit të pare të 15 qershorit.
Zëdhënësi i KSHZ-së, Zoran Tanevski deklaroi se rivotimet do të zhvillohen në 4 qendra votimi në komunën e Sarajit, 3 qendra të votimit në Bërvenicë, 2 qendra votimi në Gostivar, 2 qendra votimi në Zhelinë dhe 3 qendra votimi në Tetovë.
Sipas tij, me këto rivotime do të ketë ndryshime në numrin e deputetëve të partive politike në njësinë e parë dhe të gjashtë zgjedhore, ku numri i qytetarëve që do të shprehin votën e tyre është mbi 14 mijë.