I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 45-vjeçari në Vlorë

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se është finalizuar operacioni policor i koduar “Il Obiettivo”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.
Policia bën me dije se, 45-vjeçari i dënuar nga autoritetet italiane me 12 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, u lokalizua dhe u vendos në pranga, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara si dhe në bashkëpunim me zyrat homologe të Interpolit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Il Obiettivo”.
Sipas Policisë, si rezultat, ditën e djeshme, në lagjen “Rilindja”, u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Renald Gjini, 45 vjeç, banues në Vlorë.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Bolonja, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vjet e 10 muaj burg, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, sipas legjislacionit penal Italian”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma janë në bashkëpunim të ngushtë për procedurat e mëtejshme të ekstradimit.
/e.i/j.p/