E Hënë, 2 Nëntor 2026

UKRAINË – Shtatë të plagosur pas sulmit rus në një spital, disa ditë para takimit Zelensky-Trump

KIEV, 14 tetor /ATSH/- Forcat ruse lëshuan bomba të fuqishme rrëshqitëse dhe dronë kundër qytetit të dytë më të madh të Ukrainës në sulmet gjatë natës, duke goditur një spital dhe duke plagosur shtatë persona, tha sot një zyrtar, ndërsa ndihma ushtarake evropiane për Kievin ka rene ndjeshëm, sipas AP.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet t’i kërkojë presidentit të SHBA-së Donald Trump raketat “Tomahawk”, në një takim në Uashington të premten.

“Sulmi rus ndaj Kharkivit, në verilindje të Ukrainës goditi spitalin kryesor të qytetit, duke detyruar evakuimin e 50 pacientëve”, tha kreu rajonal Oleh Syniehubov.

“Objektivi kryesor i sulmit rus ishin objektet energjetike”, tha Zelensky.

“Çdo ditë, çdo natë, Rusia godet centralet, linjat e energjisë dhe objektet tona të gazit natyror”, tha Zelensky në Telegram.

Sulmet ruse me rreze të gjatë veprimi në rrjetin elektrik të Ukrainës janë pjesë e një fushate – që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022 – për të çaktivizuar furnizimin me energji të Ukrainës, duke u mohuar civilëve ngrohjen dhe ujin e rrjedhshëm gjatë dimrit të acartë.

Udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje vendeve të huaja të ndihmojnë në reduktimin e sulmeve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë – duke siguruar më shumë sisteme mbrojtëse ajrore për vendin, i cili është pothuajse sa madhësia e Teksasit dhe është i vështirë për t’u mbrojtur nga ajri në tërësinë e tij.

“Ne mbështetemi në veprimet e SHBA-së, BE-së dhe G7-ës, dhe të gjithë partnerëve që i kanë këto sisteme dhe që mund të na i ofrojnë për të mbrojtur popullin tonë”, tha Zelensky.

“Bota duhet ta detyrojë Moskën të ulet në tryezë për negociata të vërteta”, shtoi ai.

Por të dhënat e fundit mbi ndihmën ushtarake të huaj për Ukrainën treguan një rënie të ndjeshme të ndihmës.

“Ndihma ushtarake në korrik dhe gusht ra me 43% krahasuar me gjysmën e parë të vitit”, tha sot Instituti Kiel i Gjermanisë, i cili gjurmon mbështetjen për Ukrainën.

Kjo rënie ndodhi pas krijimit të një fondi që bashkon kontributet nga anëtarët e NATO-s, përveç SHBA-së, për të blerë armë, municione dhe pajisje amerikane për Ukrainën.

Marrëveshja financiare njihet si “Lista e Kërkesave të Prioritizuara për Ukrainën”, ose PURL.

“Në gjysmën e parë të vitit 2025, ndihma ushtarake kishte tejkaluar atë që u dërgua midis viteve 2022-2024, pavarësisht mungesës së kontributeve të SHBA-së”, tha instituti.

Zelensky do të takohet të premten me Trump në Uashington.

Bisedimet pritet të përqendrohen në furnizimin e mundshëm të SHBA-së me armë të sofistikuara me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, të cilat mund të godasin Rusinë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›