E Hënë, 2 Nëntor 2026

ISHP: Afro 60% e popullsisë, mbipeshë. Shkaqet kryesore, kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik

Kequshqyerja, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i ushqimeve të përpunuara kanë rritur ndjeshëm statistikat e personave që janë mbipeshë apo obezë. Jolanda Hyska, shefe e sektorit të sigurisë ushqimore dhe ushqyerjes në Institutin e Shëndetit Publik, deklaron se rreth 60% e popullatës shqiptare është mbipeshë.

“Mbipesha dhe obeziteti është problem dhe në vendin si tek të rriturit edhe tek fëmijët. Po të shikojmë shifrat tona ne jemi gati 60% e popullatës shqiptare mbipeshë ose obeze dhe gati diku tek 20% ne jemi me obezitet. Jemi të krahasueshëm me niveli mesatar europian dhe ne jemi në atë range e 1 në 10 fëmijë sot janë mbipeshë ose obezë”, tha Jolanda Hyska, shefe e Sektorit të Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes, ISHP.

Obeziteti është një problem kompleks, i cili ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë gjenetikën, mënyrën e jetesës dhe mjedisin.

“Obeziteti nuk është më vetëm një cështje individuale, është një cështje multifaktoriale ka shumë faktorë që përcaktojnë obezitetin që është jashtë individit. Faktorët mjedisorë si për sa i përket ushqimit, gjithmonë e më shumë kemi akses ndaj ushqimeve të përpunuara, marketingu i tyre është kaq i fuqishëm sa rritet gjithnjë e më shumë konsumi ndaj tyre. Kjo kequshqyerje me një aktivitet të ulët fizik, me një akses me infrastrukturë që nuk të lë vend për të qenë aktiv është e qartë se jo gjithcka e ka individi në dorë”, shtoi Hyska.

Por cilat janë efektet negative që mund të sjellë në shëndet?

“Një obezë i rrritur gjithmonë e më shumë ka edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Të dhënat tregojnë qartë, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare disa tipe kancerash i referohen pikërisht edhe një komplikacioni të ardhur sipasojë e obezitetit. Numri i vdekjeve që obsh raportoj sëfundmi është 1.7 milion humbasin jetën në mënyrë të parakohshme siapasojë e sëmundjeve kronike o të transmetueshme ku obeziteti është një faktor i rëndësishëm”, tha ajo.

60% e meshkujve dhe 55% e femrave jane mbipeshë, ndërsa 18% e meshkujve dhe 24% e femrave jane obezë. Këto statistika tregojnë një tendencë shqetësuese të rritjes së obezitetit në Shqipëri, duke theksuar nevojnë për ndërhyrje të fokusuara në promovimin e një stili jetese të shëndetshme./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›