ISKSH: Jo të gjitha llojet e shërbimeve do të rimbursohen
Jo të gjitha llojet e shërbimeve mund të përfshihen në paketën e financuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Kështu, nëpërmjet projektligjit të ri që pritet të miratohet së shpejti në qeveri, ky institucion bën të ditur se synon të krijojë fleksibilitet në procesin e hartimit të paketave shëndetësore, të shoqëruara me çmimet përkatëse, duke u nisur nga aftësitë paguese të buxhetit të tij. Sipas burimeve nga ky institucion, kjo gjë nënkupton se jo të gjitha llojet e shërbimeve mund të përfshihen në paketën e financuar nga ISKSH (Fondi i Sigurimeve Shëndetësore). “Paketa e sigurimit të detyrueshëm do të përfshijë gradualisht, mallra dhe shërbime shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor, kujdesin shëndetësor të specializuar, kujdesin spitalor, barna, aksesorë, furnizime sekondare dhe transportin mjekësor, siç përcaktohet nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së, bazuar mbi nevojat e popullsisë për kujdes shëndetësor dhe burimet financiare në dispozicion”,- pohojnë burime zyrtare duke shtuar se edhe lista e barnave është pjesë e paketës dhe hartimi i saj i besohet një komisioni teknik. Struktura e listës së barnave do të bazohet në prioritetet e barnave gjenerike, duke marrë në konsideratë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Paketa e shërbimeve mund të përmbajë edhe shërbime që jepen në rastet e urgjencës mjekësore. “E rëndësishme është të theksohet që pavarësisht se paketa ofrohet për personat e siguruar në skemë, pjesa e urgjencës nuk do të ketë kufizime, por do të jepet edhe për personat e pasiguruar dhe kjo pjesë do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë”, pohojnë burime të ISKSH-së.