Vjen në Kosovë shfaqja Fairytaleheart
Më 12 shtator, ora 20:00 në Teatrin Dodona në Prishtinë prezantohet shfaqja që vjen nga Irlanda “Fairytale heart” (Rrëfimi i zemrës) e autorit Philip Ridley, me regji të Bairbre Ni Chaoimh nga Dublini. Interpretojnë Keith Burke (aktor i ri irlandez) dhe Joanna Sieracka (aktore e re polake që jeton në Irlandë). Shfaqja është produksion i Calypso Productions. “Fairytaleheart” është një prej dramave më atraktive e shkruar ndonjëherë për të rinj. Protagonistë janë dy adoleshentë problematikë të cilët zbresin në bodrumin e një ndërtese duke dashur kështu të arratisen në botën e fantazisë në mënyrë që të shmangen nga jeta e komplikuar. Shfaqja zgjat rreth një orë dhe flet për “dashurinë e parë”. Përveçse në Prishtinë, “Rrëfimi i zemrës” shfaqet edhe në Prizren (13 shtator) dhe në Shkup (15 shtator). Turneu në Kosovë është organizuar dhe mundësuar nga Qendra për Zhvillimin e Teatrit për Fëmijë nga Prishtina.
Thënie e ditës
“Kam frikë heshtjen tuaj dhe jo fyerjet tuaja.”
Nga “Andromaka” e Jean Racine-it