Kinemaja spanjolle, një javë në Fier
Pas Tiranës, Durrësit, Beratit, Vlorës java e filmit spanjoll e konceptuar me temën “Kinemaja dhe Artet”, zhvendoset në Fier. Në skenën e teatrit “Bylis” nga e hëna ka nisur shfaqja e pesë filmave që përfaqësojnë disa prej disiplinave artistike të cilat Spanja kërkon t’i bëjë të njohura. I pari ishte “Camaron”, i Jaime Chávarri-t, që tregon jetën e “Cantaor” (Këngëtarit) që rinovoi flamenkon, duke futur influencën e muzikës xhaz dhe muzikave të tjera latine. Në këtë film pasqyrohet gjithashtu marrëdhënia e Camaronit me artistë të tjerë të momentit si Paco de Lucia, Tomatito dhe Paco Cepero. Dje është projektuar “Goya në Bordo”, i Carlos Saura, i cili na njohu me vitet e fundit të një gjeniu të trazuar; sonte shfaqet “Qeni i kopshtarit” i Pilar Miró, një film që arrin, në mënyrë të madhërishme, të sjellë në kinema një vepër teatrale të Lope de Vegës; më 11 shtator, është radha e “Dielli i ftoit”, i Víctor Erice, që na njeh me veprën, mendimet dhe shqetësimet e piktorit-gjeni Antonio López, ikonë e hiper-realizmit kontemporan dhe në ditën e fundit, më 12 shtator, shfaqet “Udhëtim drejt askundit”, i Fernando Fernán Gómez, një film për vështirësitë dhe peripecitë e një grupi aktorësh të teatrit që bredhin nga njëri cep në tjetrin në Spanjën e pasluftës.
Me këtë cikël, shfaqja e parë e të cilit u bë në Tiranë, më 26-30 maj, Ambasada e Spanjës në Shqipëri prezanton një pjesë të vogël të teatrit, pikturës dhe muzikës spanjolle, si një udhëtim që do duhej të vazhdonte me programe konstante kulturore në bashkitë kryesore të vendit tonë.
Për “Javën e filmit spanjoll” hyrja në kinema është falas dhe filmat shfaqen në versionin origjinal (spanjisht) me titra në shqip.
l. ç