Leku vijon dobësimin
Monedha shqiptare lek vijoi dje dobësimin gradual përballë euros, ndërsa shënoi kuotën më të ulët që nga tetori i kaluar kundrejt dollarit amerikan. Dollari u këmbye dje për 86.37 lekë, ndërsa euro u këmbye me 122.25 lekë. Në tregun ndërkombëtar, euro u stabilizua në kuotën e 1.40 dollarëve, ndonëse janë të shumtë ekspertët që besojnë se forcimi i monedhës amerikane do të rinisë së shpejti. Forcimi i dollarit u shoqërua si zakonisht me uljen e çmimeve të mallrave kryesore, përfshirë naftën dhe drithin. Çmimi i naftës iu afrua kuotës së 100 dollarëve për fuçi. Por forcimi i shpejtë i dollarit kundrejt lekut, pritet të jetë një efekt kompensues për rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar.