E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e QSUT-së: Kriza në spital, më e rëndë se në 97-ën

Mjekët e QSUT-së pohojnë se mungojnë barnat dhe narkoza. Nuk na lejon bluza, as profesioni të bëjmë aventura

Mungojnë barnat dhe materialet më elementare që iu nevojiten bluzave të bardha për të manipuluar mbi pacientin. Madje në qendrën më të madhe spitalore në vend “Nënë Tereza” nuk bëhet as analiza më elementare, ajo e gjakut komplet. Listës së zezë të mangësive në këtë spital i shtohet edhe mungesa e narkozës që është e domosdoshme për ndërhyrjet kirurgjikale. Të ndodhur përballë kësaj situate alarmante mjekët e QSUT-së pohojnë se gjendja skandaloze me mangësi të theksuara nuk është vërejtur as në vitin ’97-të ku spitali priti me mijëra pacient.

Mungesat

Po përjetojmë situatë skandaloze me mungesat në spital. Nuk mund t’u japim as shërbimet më elementare pacientëve. Kjo krizë nuk është parë as në vitin ’97. Kështu shprehen mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se duhet të merren masa emergjente për zgjidhjen e situatës, pasi në spitalin më të madh të vendit nuk bëhen as operacionet e planifikuara për më shumë se 3 muaj. “Ka disa mangësi serioze për realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale duke filluar nga medikamentet me anabiotikë dhe të tjera, si ato të anestezisë, narkozës, kështu që ne nuk mund të bëjmë pa këto dhe nuk na lejon etika, nuk na lejon bluza, nuk na lejon profesioni që të bëjmë aventura”,- pohon kirurgu Mehdi Agolli. Ndërkohë mësohet se tashmë edhe të sëmurët me kancer, nuk operohen vetëm në rastet kur atyre u ka shpërthyer hemorragjia dhe futen në rastet urgjente. “Ka më shumë se një muaj që kemi reduktuar në maksimum operacionet. Nuk bëhet fjalë për operacionet e planifikuara por vetëm për rastet urgjente, vetëm emergjencat dhe ato që quhen urgjenca, të presin”,- pohon shefi i urgjencës kirurgjikale duke shtuar se për shkak të mangësive, kancerin e kanë seleksionuar me kancerin e ndërlikuar, që janë ata me plasje të hemorragjisë, të vjellat dhe rastet që nuk janë urgjente. Sipas tij, përderisa nuk kanë barna dhe materialet më të domosdoshme, nuk kanë se si t’i mbajnë pacientët me ujë dhe kripë. Kështu, mjekët ankohen për gjendjen në të cilin është katandisur spitali. “Kjo situatë që ka një mungesë të madhe nga gjithë medikamentet, duke filluar që nga ilaçet narkotike, është krijuar nga mungesa e furnizimit, që nuk është pjesë e jona. Pjesë e jona është që të punojmë dhe t’i shërbejmë popullit”,- pohon njëri nga mjekët e QSUT-së.

Burime pranë QSUT-së pohojnë se po kërkojnë ndihmën e spitaleve të tjera për barna dhe materiale

QSUT: Po marrim materiale nga spitalet e tjera

Po bashkëpunojmë me spitalet e tjera, për të siguruar ndihma në mënyrë që të përmirësohet situata në spital. Kështu u shprehën burime zyrtare të Qendrës

Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët theksuan se në urgjenca nuk është ndaluar puna për asnjë moment. “Praktikisht, urgjenca ka punuar pa ndërprerje dhe në mënyra të ndryshme jemi munduar që të gjejmë një zgjidhje për situatën. Pra, që jo vetëm të mbahet urgjenca, por edhe të rifillojnë sa më shpejt operacionet e planifikuara që të punohet për një distancë sa më të shkurtër. Më vjen keq, që nuk mund të jap një datë të saktë dhe të plotë, por ne po mundohemi që të respektojmë të gjitha afatet kohore, duke kërkuar edhe ndihmën e institucioneve të tjera në këto raste”,- thekson nëndrejtori i QSUT-së. Ndërkohë nga ky institucion bëhet e ditur se gjendja jonormale e krijuar kohët e fundit është si pasojë e administrimit joeficient të procedurave të prokurimit të medikamenteve dhe është trashëguar nga stafi i mëparshëm. “Stafi drejtues aktual, së bashku me administratën, po punojnë për normalizimin e situatës në spital”,- bëhet e ditur nga QSUT-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›