E Martë, 3 Nëntor 2026

IZRAEL – Herzog: Ne nuk po e tërheqim SHBA-në në luftë

TEL AVIV, 22 qershor /ATSH-DPA/- Izraeli nuk po i kërkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shkojnë në luftë, tha sot presidenti izraelit, Isaac Herzog – pas sulmit të SHBA-së ndaj lokacioneve bërthamore në Iran – në mbështetje të Izraelit.

“Ne nuk po e tërheqim Amerikën në luftë”, tha Herzog për kanalin televiziv amerikan CNN.

Presidenti izraelit tha se Izraeli kishte qenë i qartë se po ia linte vendimet presidentit të SHBA-së, Donald Trump – dhe se vendimi i Uashingtonit për të ndërhyrë në konflikt lidhej me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Ne nuk kemi ndërmend dhe nuk i kërkojmë Amerikës tani të shkojë në luftë sepse iranianët po kërcënojnë Izraelin’, tha Herzog lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të luftës.

Ai tha se programi bërthamor i Iranit përbënte një kërcënim për interesat e sigurisë së të gjithë botës së lirë.

“Si udhëheqës i botës së lirë, SHBA-ja ishte gjithashtu në rrezik. Kjo është arsyeja pse ishte hapi i duhur për t’u bërë”, tha Herzog.

“Tani është koha për të marrë në konsideratë diplomacinë, por kjo duhet të jetë efektive. Diplomacia ka dështuar deri më tani sepse iranianët kanë gënjyer vazhdimisht”, tha presidenti izraelit.

Përpara se Izraeli të niste sulmin e tij në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, Teherani ishte në negociata me SHBA-në mbi programin e tij bërthamor.

Bisedimet e mëtejshme të planifikuara u anuluan pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Iranit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›