KANADA – Trump: Përjashtimi i Rusisë nga G7, një gabim shumë i madh

KANANASKIS, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Ndërsa udhëheqësit e G7 u mblodhën dje në një samit në Kanada, i cili u përqendrua në konfliktet dhe tregtinë globale, presidenti i SHBA-së Donald Trump u ankua për përjashtimin e Rusisë.
Përpara fillimit zyrtar të samitit të ekonomive kryesore demokratike, G7 në Kanada, Trump u ankua se vendimi i marrë në atë kohë kishte qenë një “gabim shumë i madh”.
“Mendoj se nuk do të kishit luftë tani nëse do ta kishit Rusinë brenda”, i tha ai kryeministrit kanadez Mark Carney, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, i nisur në vitin 2022.
Ai shtoi se mungesa e presidentit rus Vladimir Putin i kishte bërë situatat shumë më të vështira.
Formati i bisedimeve G7 midis shtatë vendeve kryesore të industrializuara ka ekzistuar që nga viti 1975.
Rusia u bë anëtare e plotë e grupit në vitin 2002 dhe formati u quajt G8 për 12 vjet.
Por, Rusia u përjashtua në vitin 2014 pasi Moska aneksoi gadishullin e Krimesë në Detin e Zi.
Që atëherë, formati ka vazhduar si G7, i përbërë nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia.
“Putini u ndje i ofenduar kur iu ndalua pjesëmarrja në grup, siç do të isha ndjerë unë, siç do të ishit ndjerë ju dhe kushdo tjetër”, shtoi Trump.
Ai tha se kjo ishte arsyeja pse Putini nuk fliste me askënd tjetër përveç tij.
Trump theksoi se tani nuk ishte koha e duhur për të ripranuar Rusinë, pasi shumë ngjarje kishin ndodhur që atëherë, por tha se përjashtimi i Rusisë ishte i gabuar në atë kohë.
Megjithatë, në të kaluarën, Trump është distancuar gjithashtu nga thirrjet për të ripranuar Rusinë në grup.
Përpara bisedimeve dypalëshe me Trump, kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje SHBA-së të merrte pjesë në një iniciativë të re të BE-së që synonte sanksione ndaj Rusisë.
“Do të doja shumë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bashkoheshin dhe të vendosnin sanksionet përkatëse edhe nga ana e tyre”, tha kancelari gjerman, i cili mori detyrën në maj.
Udhëheqësi gjerman theksoi se nuk kishte pasur sanksione të reja nga SHBA-ja – që kur Trump ishte kthyer në pushtet në Uashington, në janar.
“Vetëm sanksionet që u vendosën nën administratën e vjetër të Joe Biden janë aktualisht në fuqi”, tha Merz.
Paketa e re e BE-së synon të rrisë më tej presionin mbi Rusinë – në mënyrë që vendi të negociojë përfundimin e luftës kundër Ukrainës.
Sanksionet e planifikuara synojnë sektorët rusë të energjisë dhe bankave, duke synuar uljen e çmimit maksimal për shitjen e naftës ruse – në vende si India dhe Kina nga 60 dollarët aktualë në 45 dollarë për fuçi.
Kufiri i çmimit u prezantua nga grupi G7 në vitin 2022 dhe parashikon sanksione kundër aktorëve të përfshirë në eksportimin e naftës ruse me çmime më të larta.
Samiti, i mbajtur në qytetin turistik malor të Kananaskis, u hap me një seancë mbi gjendjen e ekonomisë globale, me bisedimet e organizuara nga Carney.
Temat kryesore në ditët në vijim përfshijnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tregtinë botërore – dhe konfliktin e fundit në zgjerim midis Izraelit dhe Iranit. //a.i/