KANADA – Trump: Marrëveshja tregtare BM-SHBA, e përfunduar

KANANASKIS, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Marrëveshja tregtare Britani e Madhe-SHBA është nënshkruar dhe është “e përfunduar”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump pas takimit me kryeministrin britanik, Keir Starmer në samitin e G7.
Starmer tha se marrëveshja e përfunduar zbaton tarifat e automjeteve dhe hapësirën ajrore dhe e përshkroi marrëveshjen si një “shenjë force” midis BM-së dhe SHBA-së.
Megjithatë, ndërsa dy udhëheqësit u takuan në samitin e G7 në Kananaskis, Alberta, pati një sinjal nga presidenti i SHBA-së se marrëveshja në lidhje me tarifat ndaj eksporteve britanike të çelikut në SHBA mund të zgjasë më shumë për t’u finalizuar.
“Do t’ju japim këtë informacion së shpejti”, tha ai kur u pyet nga gazetarët në lidhje me tarifat e çelikut.
Gjatë muajve të fundit, Britania e Madhe ka zhvilluar një sërë angazhimesh që synojnë të sigurojnë një ulje të tarifave që Trump vendosi ndaj BM-së dhe pjesës tjetër të botës më 2 prill.
Së bashku me tarifat prej 10% ndaj të gjitha mallrave britanike, presidenti vendosi taksa prej 25% ndaj automjeteve dhe produktit të çelikut.
Më vonë ai e rriti tarifën mbi çelikun në 50%, por i dha BM-së një afat, duke e mbajtur normën e saj në 25% deri të paktën më 9 korrik.
Sipas kushteve të përgjithshme të marrëveshjes së muajit të kaluar, SHBA-ja është e vendosur të zbatojë kuota – që do të eliminojnë në mënyrë efektive tarifën ndaj çelikut britanik dhe do të ulin tarifën ndaj automjeteve të BM-së në 10%.
Starmer u sinjalizoi gazetarëve se elementët e marrëveshjes për automjetet dhe hapësirën ajrore ishin finalizuar.
“Donald, faleminderit shumë. Kjo marrëveshje, tani zbatohet për tarifat e automjeteve dhe hapësirën ajrore. Një marrëveshje vërtet e rëndësishme. Kjo është një ditë shumë e mirë për të dy vendet tona, një shenjë e vërtetë force”, tha Starmer ndërsa u takua me Trump. //a.i/