E Martë, 3 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Mbështetje bizneseve me certifikime për të zbatuar standardet e BE-së

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar sot nisjen e programit të ri “BE në dyert tuaja”, i cili ka për qëllim trajnimin dhe mbështetje për bizneset shqiptare në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Ky program do t’i ndihmojë bizneset të kuptojnë dhe zbatojnë standardet e BE-së, duke i orientuar për certifikimet e nevojshme për të eksportuar produktet në tregun europian.

Në takimin me përfaqësues të biznesit të vogël në Shkodër, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri, njëherazi edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ajo theksoi se ky program është një mundësi për të rritur konkurrencën dhe kapacitetin e bizneseve shqiptare, duke përforcuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Ajo theksoi gjithashtu se programi është një hap i rëndësishëm për të siguruar që bizneset të mund të shfrytëzojnë mundësitë e tregut të përbashkët europian, që ka 450 milionë banorë.

Ministrja shtoi se gjatë katër viteve të ardhshme, do të punohet ngushtë me çdo biznes për të arritur këto standarde, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë dhe trajnime të specializuara për t’u mundësuar atyre një zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

Ibrahimaj, deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka përjetuar një transformim të rëndësishëm në vitet e fundit.

Shkodra, vijoi ajo, me traditën dhe kulturën e saj tregtare, ka bërë hapa të mëdhenj për të zhvilluar sektorin e turizmit, një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi.

Ibrahimaj foli dhe për statistikat e Shkodrës dhe të vendit në përgjithësi, duke theksuar se numri i bizneseve ka pësuar një rritje prej 60%, ndërsa të ardhurat e bizneseve janë rritur më shumë se dyfish. Ajo e cilësoi teknologjinë e informacionit si një komponent kyç të zhvillimit të bizneseve, duke shtuar se shumë kompani në Shkodër kanë filluar të aplikojnë e-commerce dhe kanë parë ndryshime të dukshme pozitive në mënyrën e funksionimit të tyre.

Në lidhje me ekonominë shqiptare, Ibrahimaj përmendi se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka kaluar nga një ekonomi që prodhonte 9.6 miliardë euro në vit, në një ekonomi që sot prodhon 25 miliardë euro.

Ajo theksoi gjithashtu rritjen e PBB-së për frymë, nga 3300 euro në mbi 10,300 euro, dhe synimin për të arritur 15,000 euro deri në vitin 2030.

Ministrja përmendi gjithashtu mbështetjen që ka marrë biznesi i vogël përmes politikave fiskale, si dhe lehtësimin e taksave që nga viti 2021, me një prag të ri për tatimin mbi fitimin prej 140 mijë eurosh. Ajo vuri në dukje se kjo politikë ka ndihmuar rreth 99 mijë biznese dhe ka lënë rreth 66.5 milionë euro më shumë në xhepat e bizneseve çdo vit.

Në mbyllje, Ibrahimaj theksoi se, falë këtyre politikave dhe transformimeve, papunësia është ulur nga 17.9% në 8.8%, dhe Shqipëria synon të arrijë një normë papunësie prej 6.6%, sa është mesatarja e BE-së, deri në vitin 2030. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›