Rama: Godina e bashkisë së Shkodrës do kthehet në qendër kulturore, investimet me ndikim ekonomik

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Godina e bashkisë së Shkodrës pritet të kthehet në muze.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një takim me me sipërmarrësit e vegjël të Shkodrës.
Rama tha se “jemi në diskutim me kryetarin e bashkisë për transformimin e godinës së bashkisë së Shkodrës në një muze”.
“Administrata e bashkisë mund të lëvizë diku tjetër, s’ka nevojë të rrijë në atë mjedis që është realisht një mjedis spektakolar dhe pse të mos jetë një mjedis i hapur dhe i vizitueshëm për të gjithë”, u shpreh Rama.
“Kur them muze, në këtë rast kam parasysh një qendër kulturore, një hapësirë ku të ketë lëvizje të vazhdueshme, aktivitet të vazhdueshëm ku mund të qëndrojë zyra e përfaqësuesve, e kryetarit të bashkisë, por ku pjesa tjetër fare mirë do të ishte t’i përkiste publikut”, tha Rama.
Më tej, Rama u ndal tek impakti ekonomik falë investimeve që po kryhen në qytetin e Shkodrës.
Duke iu drejtuar sipërmarrësve, Rama tha se “jeni dëshmitarë se çfarë impakti ka patur tek biznesi juaj, tek xhiroja, qarkullimi i vlerës gjithë mozaiku i punëve të vogla që ka bërë bashkia”.
“Besoj se ju tani nuk jeni më aq skeptikë nëse dëgjoni që fasadat nuk janë fasada, janë më shumë se sa dukja sepse ato krijojnë më tepër energji dhe kanë efekt në rritjen e vlerës së pronës. Sot vlera e pronës në Shkodër është më e lartë se ditën kur Beci u bë kryetar bashkie”, vijoi Rama.
Rama vuri në dukje se tashmë në Shkodër nuk jetohet më mes plehrave.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se në Shkodër po rritet volumi i kërkesave për ndërtim.
“Ishte një periudhë kur ndërtimi në Shkodër mbaroi, u bë siç u bë në vende të tjera të Shqipërisë. Sot ne kemi edhe në Këshillin Kombëtar kërkesa për ndërtim në Shkodër, që do të thotë që tregu ka filluar të lëvizë pa llogaritur Velipojën, flas për qytetin jo për Velipojën. Në Velipojë ka një sërë kërkesash shumë ambicioze për të kaluar në një nivel tjetër të turizmit me 5 yje”, tha Rama. /k.s/j.p/